AlbanianSport.com 29/06/2020 23:10
ASNN – Ekipet përfaqësuese të zyrës rajonale të Tiranës kanë zhvilluar të hënën seancën e radhës stërvitore me ekipin e Nën-13, Nën-14 dhe Nën-15-vjeçarëve, ku ishin të pranishëm edhe trajnerët e ekipeve kombëtare. Ata vijojnë punën në trajnimin e tyre, për të përzgjedhur futbollistët më të mirë të këtyre zonave. I pranishëm në njërën prej seancave të sotme ishte edhe specialisti pranë sektorit të Ekipeve Kombëtare në FSHF, Sulejman Mema, i cili theksoi se trajnerët e klubeve duhet të bashkëpunojnë fort me trajnerët e ekipeve kombëtare, pasi baza është stërvitja me klubet ku ata aktivizohen.
“Është viti i tretë që Federata Shqiptare e Futbollit operon me këtë mënyrë seleksionimi në tetë zona rajonale të Shqipërisë, ku një herë në javë trajnerët e ekipeve, të cilët ne kemi përzgjedhur, trajnojnë futbollistët e moshave Nën-13, Nën-14 dhe Nën-15-vjeçarëve, – u shpreh Mema në një prononcim për faqen zyrtare të FSHF-së në Internet. – Ata përqendrohen në përmirësimin e cilësive teknike, si edhe rritjen taktike, për të pasur një brez me aftësi shumë të mira. Këta fëmijë janë pjesë e ekipeve kombëtare dhe ne këtu i kemi shpresat më të mëdha për të ardhmen. Duhet të përkushtohen, një ditë në javë do t’u bëjë mirë këtyre fëmijëve.”
“I orienton shumë mirë kjo stërvitje e përjavshme, që ne organizojmë, sepse baza është stërvitja që zhvillojnë nëpër klube, – ka vijuar ish-futbollisti dhe ish-trajneri i njohur. – Ndaj duhet të jenë të përgjegjshëm dhe klubet, edhe trajnerët e klubeve, për t’i rritur nga ana cilësore vetëm duke punuar në aspektin teknik me këto grupmosha. Të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare janë të shpërndarë nëpër rrethe për të ndjekur stërvitjet, për të bashkëpunuar me trajnerët në stërvitje, për të zgjedhur vlerat më të mira dhe për t’i rritur vlerat e këtyre futbollistëve që ne kemi përzgjedhur.” Ndërkaq, ekipet përfaqësuese të zyrave rajonale të FSHF në të gjithë vendin kanë vijuar programin stërvitor me ekipet e të gjitha moshave në prag të turneut të përfaqësueseve rajonale, që zhvillohet muajin e ardhshëm.