AlbanianSport.com 29/06/2020 20:10
ASNN – Ky sezon i Formulës 1 do të hyjë në histori për shumë arsye. Natyrisht do të hyjë në histori për arsye të epidemisë së virusit korona, që vuri madje në pikëpyetje edhe vetë zhvillimin e sezonit aktual, që pritet të nisë në ditët e para të korrikut. Por, për më tepër, do të hyjë në histori, sepse shumica e pilotëve që do të zbresin në pistë, do t’u hipin makinave që në fakt i kanë “tradhtuar”, sepse në fakt kanë nënshkruar që tani për të shkuar gjetkë.
Dhe kjo ka bërë që gjërat të pështjellohen përtej imagjinatës. Kështu, për shembull, është e paqartë e ardhmja e një protagonisti të madh në Formula 1, si Sebastian Feteli. Sipas një tjetër të madhi të këtij sporti, britanikut Dejmon Hill, piloti gjerman ka dy alternativa, pas largimit nga “Ferrari” në fund të këtij sezoni. Ose do të kalojë tek “Mercedes”-i ose do të largohet fare nga Formula 1. Por vetë piloti nuk e ka zbuluar ende të ardhmen e tij. Ai mendon vetëm të përmbushë kontratën e tij me “Ferrari”-n.
Natyrisht, sezoni i ri i Formula 1 nuk ka filluar ende, por Sebastian Feteli ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve, për shumë arsye. Një vit më parë ishin gabimet e tij në gara që e vunë në qendër të vëmendjes, kurse tani, piloti gjerman po përflitet nga të gjithë se çfarë do të bëjë sezonin e ardhshëm, kur të largohet nga “Ferrari”. Një skuadër me të cilën synoi për 5 vite radhazi të fitonte Botërorin, gjë që tashmë i mbetet brezit të ri të pilotëve të skuadrës së kuqe për ta arritur.
Skuadra italiane ka firmosur ndërkohë me Karlos Sainzin si partnerin e Lëklerkut nga viti 2021 dhe përkundër të gjitha lëvizjeve që kanë ndodhur deri më tani në merkaton e pilotëve, 4 herë “kampioni i botës”, nuk e ka përcaktuar ende se çfarë do të bëjë në të ardhmen e tij nga viti i ardhshëm. “Situata e Fetelit është alarmante”, – thotë Dejmon Hilli, – Gjermani është përfolur shumë se mund të kalojë te “MekLaren”, tek “Renault ose tek “Aston Martin”-i pas lamtumirës së tij me Maranelon.
“Por lëvizja e tij në këto momente do të jetë e vështirë, sidomos për t’u përshtatur me makinën ku do shkojë, – thotë britaniku legjendar. – Por unë e shikoj më pranë “Mercedes”-it.” Është e vërtetë që “Mercedes”-i e ka në planet e veta për 2021, por Hill kujton se “shefi i Mercedes vetëm i dha mundësi Fetelit” nëse do të kishte një hapësirë në dispozicion në formacion. Mundësia tjetër e gjermanit, gjithashtu në tavolinë, do të ishte braktisja e Formulës 1.
Por ish-kampioni beson se “është shumë e vështirë” ta mendosh këtë kur të mbetet akoma një sezon përpara. Sidoqoftë, nëse lamtumira do të ishte pjesë e planeve të tij, sipas britanikut, alternativa më e mirë do të ishte largimi nga Formula 1 në fund të këtij sezoni, por ky është një variant që gjermani e përjashton. Sebastian Feteli ndihet i gatshëm të bëjë sezonin e tij, e tani për tani ai mendon vetëm të përmbushë kontratën e tij. Më vonë ai do të zbulojë se si do të jetë e ardhmja e tij.