AlbanianSport.com 28/06/2020 19:25
ASNN – Janë zhvilluar të dielën pasdite ndeshjet e radhës në nivelin e 3-të të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Dytë. Në grupin A nuk pati surprizë, teksa fituan të gjithë skuadrat kryesuese. Vora realizoi 7 herë në derbin përballë Internacionalit të Tiranës, të luajtur në Pezë-Helmës, dhe vazhdon të kryesojë në kuotën e 53 pikëve.
Katër pikë më prapa është Luzi, që pati nevojë për golat e Koçit dhe Sejdinit, për të mposhtur në shtëpi 2-1 Sopotin e Librazhdit. Ndërkaq, Partizani B i vendit të tretë, fitoi 2-0 në fushë të hua, ndaj Spartakut të Tiranës, ashtu sikundër korrën fitore edhe Vllaznia B dhe Mirdita, që siguruan 3 pikët në ndeshjet e luajtura në fushën e tyre, përkatësisht ndaj Gramshit dhe FK Klosit.
Ndërkohë, në ndeshjen që kishte tërhequr më tepër vëmendjen gjatë javës, për vetë pozitat në renditje, Tomori nuk u përmbajt në Berat përballë Albpetrolit, duke e fituar këtë përballje me rezultatin e pastër dhe të thellë, 5-0. Skuadra beratase ndodhet në krye të grupit B me 52 pikë, 3 më shumë se sa skuadra nga Patosi, por edhe Maliqi. Skuadra juglindore mposhti 4-2 në shtëpi Përmetin.
Ajo vazhdon të shpresojë për t’u ngjitur një kategori më lart. Në ndeshjet e tjera, ranë në sy fitoret e Tepelenës, Naftëtarit dhe Memaliajt, ndërsa sfida Këlcyra-Gramozi përfundoi ashtu siç nisi, pa gola.