AlbanianSport.com 26/06/2020 22:10
ASNN – Duket se i janë qepur, siç thotë një frazë e përdorur rëndom në futboll, “si pullë poste”. Dhe duket se nuk po kanë fund telashet për Mishel Platininë. Ish-kampioni francez dhe ish-kreu i UEFA-s gjatë periudhës 2007-2015, u përjashtua për 4 vite nga futbolli për korrupsion në vitin 2015.
Ai e shleu atë ndëshkim nga ana e FIFA-s por autoritetet ligjore helvete nuk janë të bindur. Dhe Kryeprokurori i Zvicrës ka ngritur një tjetër akuzë për francezin legjendar të futbollit. Platini akuzohet për keqadministrim dhe shpërdorim detyre në hetimet që po kryhen në Zvicër në lidhje me ish-kreun e FIFA-s, Sep Blaterin.
Shkaku janë 2 milion franga zvicerane që francezi mori nga FIFA, ose, më saktë, nga Blateri, si para të thata në vitin 2011. Agjencia e Lajmeve “Associated Press” (AP) raporton se këto akuza janë shkruar në letrën e prokurorit Tomas Hildbrand në datë 5 qershor.
Platini, i cili në atë kohë ishte president i UEFA-s, dyshohet se ishte bashkëpunëtor i keqadministrimit kriminal, shpërdorimit dhe falsifikimit, thuhet në dokument, akuza të cilat ai i mohon. Madje kohët e fundit ai ka aluduar, me emra konkretë, për një skenar të ngritur ndaj tij me nismën e pasardhësit Xhani Infantino.