AlbanianSport.com 26/06/2020 19:55
ASNN – Ka qenë një nga emrat më të përfolur në periudhën e boshllëkut të krijuar nga kriza e epidemisë së virusit korona dhe hamendësimet kanë qenë nga më të larmishmet, si në shtrirje gjeografike, ashtu edhe në atë financiare. Dhe, përtej shumë mohimeve të vazhdueshme, duket se tanimë është marrë një vendim, pasi menaxheri i Verder Bremenit, Frank Bauman, ka konfirmuar se Milot Rashica do të largohet nga kjo skuadër.
Të shtunën, Verderi luan ndaj Këlnit me synim për të mbetur në Bundesligën e parë gjermane, por as fitorja mund të mos jetë e mjaftueshme për një gjë të tillë, duke parë situatën e krijuar. Ndërkaq, prej kohësh, transferimi i Rashicës është cilësuar si një çështje e mbyllur. Ka mbetur të zyrtarizohet skuadra ku futbollisti i përfaqësueses së Kosovës do të luajë në vazhdim të karrierës dhe këtë e ka konfirmuar edhe zyrtari i klubit gjerman.
“Miloti është shumë i interesuar për të thënë lamtumirë dhe që tifozët e Verderit ta kujtojnë atë në mënyrë pozitive”, – ka thënë të premten Bauman, i cituar nga revista prestigjioze sportive gjermane, “Kicker”. – Është normale për Milotin që të bëjë hapin e ardhshëm. Është normale për të që të ngjallë interes. Unë besoj fuqishëm se do të mblidhemi dhe do të gjejmë një zgjidhje të përbashkët.” Deri më tani, Lajpcigu mbetet favorit për të transferuar Rashicën.
Por bisedimet konkrete pritet të fillojnë pas javës së 34-t apo pas ndeshjeve të “play-off”-it të Bundesligës gjermane.