AlbanianSport.com 26/06/2020 16:10
ASNN – Supozohej të ishte kundërshtari që donin ta shmangnin të gjithë, por nuk mendon kështu Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, i cili, në mënyrë paksa të çuditshme, e ka cilësuar Tiranën si një kundërshtar më të pranueshëm se dy të tjerët në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Kreu i klubit ballshiot foli për mediat e pranishme në mjediset e Stadiumit “Arena Kombëtare” pas hedhjes së shorti, që vendosi që skuadra e tij, do të përplaset në gjysmëfinale me kryesuesit e Superiores, Tiranën.
Një short shumë i vështirë, po të kesh parasysh që bardheblutë i janë drejtuar titullit “kampion”. Sidoqoftë, Kapllanaj mendon ndryshe. “Më mirë në gjysmëfinale me ekipin më të mirë, se sa në finale me tek ndeshje, – ka deklaruar ai. – Normalisht që besoj te finalja, pasi kemi bërë një rrugë të gjatë dhe kemi eliminuar ekipe të vështira, si Skënderbeu apo Laçi. E dimë që Tirana është ekip i fortë, por siç e thashë më parë, më mirë në gjysmëfinale se në finale.”
“Tirana është ekip i fortë, por dhe ne kemi një grup cilësor dhe po kalojmë një formë të mirë, – ka vijuar kreu i klubit ballshiot. – Normalisht që Kupa është më e afërt për të shkuar në Evropë, por nuk do të lëmë pas dore as kampionati. I vetmi zhgënjim që kemi pasur, ka qenë në fillim të vitit, në janar. Kemi pasur një ecuri jo të mirë, me disa lojtarë larg formës fizike. Por me rikthimin e kampionatit, po bëjmë paraqitje të mira dhe shpresoj të vazhdojmë kështu deri në fund.”