AlbanianSport.com 24/06/2020 20:40
ASNN – Ballshiotët marrin një barazim 1-1 në Korçë dhe janë ata në 4-shen e më të mirëve të Kupës. Kupa e Shqipërisë ka përcaktuar të mërkurën 4 ekipet gjysmëfinaliste dhe, pas Tiranës, Kukësit dhe Teutës, Bylisi ka siguruar biletën e fundit, duke eliminuar Skënderbeun. Ballshiotët kanë marrë një barazim 1-1 në Korçë, duke kaluar për më tej pasi e kishin fituar minimalisht ndeshjen e parë në fushën e tyre. Bylisi është skuadra e 4-t gjysmëfinaliste e Kupës së Shqipërisë, pasi ballshiotët kanë marrë një barazim 1-1 në fushë të huaj ndaj Skënderbeut, që, i ndërthurur me fitoren minimale në fushën e vet para dy javësh, kualifikon skuadrën e drejtuar nga trajneri Dovedan.
Pjesa e parë e ndeshjes së zhvilluar në Stadiumin “Skënderbeu” të Korçës ka nisur kryesisht e qetë, por, pas 7 minutash lojë, është pranë golit skuadra e Bylisit. Për shkak të një shpërqendrimi në mbrojtjen korçare, për pak sa nuk shënojnë ballshiotët, por portieri Dajsinani bën gjithçka dhe i mohon golin Peposhit. Skënderbeu kundërpërgjigjet menjëherë, por goditja e Taipit grushtohet nga portieri mik, Miraka. Në minutën e 16-të, korçarët ndërtojnë një aksion të mirë dhe Mara pason për Mensanë, i cili vonohet dhe bllokohet në goditje nga mbrojtësit miq. 10 minuta më vonë është sërish Mara që shërben bukur për Bregun, por futbollisti korçarëve shpërdoron në mënyrë të pabesueshme.
Megjithatë, Skënderbeu do ta gjejë golin, kur, i ndihmuar edhe nga një devijim dhe nga shtylla, Mensah ia del të përshëndetë rrjetën në minutën e 34-t. 5 minuta më pas, Bregu provon të dyfishojë shifrat, ndërsa pjesa e parë do të mbyllet me episodin e çuditshëm të minutave shtesë, ku fillimisht ballshiotëve u jepet e më pas u anulohet një 11-metërsh. Murataj provon për Bylisin në fillimin e pjesës së dytë, por duhet pritur deri në minutën e 57-të, kur Gripshi godet fort nga lart, por gardiani ballshiot, Miraka, reagon bukur dhe shmang golin.
3 minuta më pas, Miraka reagon po aq mjeshtërisht përballë Bregut, të cilit i kthehet në makth në minutën e 65-të, duke i mohuar një tjetër mundësi të artë për shënim. Paaftësia e Skënderbeut për të shndërruar në gol rastet për shënim do të ndëshkohet në minutën e 76-të, kur mefshtësia e mbrojtjes korçare do t’i japë mundësi ballshiotëve të godasin dhe të barazojnë shifrat me anë të Malçit. Bylisi rrezikon të gjejë edhe një gol të dytë 3 minuta më pas, por vetëm shtylla horizontale i mohon golin Ndrecës. Skënderbeu nuk ka më energji dhe ide të reagojë, përtej ndërrimeve të shumta dhe 5 minutave shtesë dhe eliminohet kështu nga veprimtaria e dytë e futbollit në vend.