AlbanianSport.com 22/06/2020 23:55
ASNN – Zgjerohet harta e destinacioneve të mundshme për sulmuesin e përfaqësueses së Kosovës dhe të Verder Bremenit, Milot Rashica, i cili, sipas mediave në Gadishullin e Apenineve, po kërkohet edhe nga Milani. Sipas rrjetit të njohur “Sky Italia”, Rashica është njëri prej 3 lojtarëve të Bundesligës që po kërkohen nga trajneri gjerman, Ralf Rangnik, i cili pritet të marrë drejtimin e Milanit në fund të këtij edicioni.
Klubi italian është duke e monitoruar situatën e sulmuesit të krahut te Verder Bremeni, ku ai ka spikatur me paraqitjen e tij këto dy vitet e fundit. Mësohet se Milani është në pritje të përfundimit të sezonit të Bundesligës, për të dërguar ofertën e parë për Rashicën.
Futbollisti nga Kosova ka një klauzolë lirimi prej 30 milionë eurosh, por, në rast të rënies nga Bundesliga të klubit të tij, Verder Bremenit, çmimi i tij do të ulet ndjeshëm. Milot Rashica pritet të largohet nga Verder Bremeni në merkaton e radhës. Për shërbimet e tij po interesohen shumë klube, ndërsa është raportuar se Lajpcigu është më së afërmi transferimit të yllit të Kosovës.
Megjithatë, emri i tij është lidhur gjithashtu edhe Napolin në Itali, me Borusian e Dortmundit në Gjermani dhe Liverpulin në Angli. Por agjenti i lojtarit, ish-futbollisti i Kombëtares kuqezi, Altin Lala, nuk ka pranuar të japë informacione sa i përket destinacionit të ardhshëm të talentit shqiptar të futbollit.