AlbanianSport.com 22/06/2020 19:25
ASNN – Teuta përballet në ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë me Vllazninë pasi ka marrë një barazim 2-2 në Shkodër në ndeshjen e parë. Dhe për futbollistin durrsak, Lorenco Vila synimi është kualifikimi. “Të themi të drejtën, kemi arritur një rezultat pozitiv në Shkodër, – ka deklaruar ai. – Luajtëm shumë mirë pjesën e dytë, pasi pjesën e parë filluam keq, duke pësuar dy gola.”
“Shpresoj që nesër të kualifikohemi, por janë 90 minuta që duhet të japim maksimumin, – ka vijuar 21-vjeçari. – Dhe shpresoj që të kualifikohemi.” Bregdetarët vijnë në këtë takim të së mërkurës pas dy fitoreve bindëse në kampionat, asaj minimale ndaj Tiranës dhe atij triumfi të thellë, 5-1, ndaj Luftëtarit. “Pas fitores me Tiranën, morali i skuadrës ka qenë shumë i lartë dhe kjo u pasqyrua edhe tek fitorja në Gjirokastër, – ka theksuar qendërsulmuesi i ri.
“Shpresoj që të vijojmë me rezultatet pozitive, për të arritur objektivat që ka klubi”, – shtoi Vila, i cili synon të gjejë edhe golin, ndërsa thotë se për të ardhmen vendos klubi. “E rëndësishme është që të fitojë ekipi, por po aq e rëndësishme në planin personal është që të bëj paraqitje sa më të mira, – ka deklaruar ai. – Jam shumë i lumtur që në dy ndeshjet e fundit kam arritur të jap pasime për gola.”
“Shpresoj që edhe goli do të vijë shumë shpejt, – ka vijuar lojtari 1 m e 80 cm i lartë. – Sa i përket së ardhmes, e di që ka patur diskutime, por, për mua, është klubi që vendos, presidenca, dhe shpresoj që në fund, të gjithë bashkë, të bëjmë zgjedhjen e duhur.” Futbollisti durrsak i ka të qarta synimet këtë sezon. “Jemi në luftë për Evropën në të dyja frontet”, – pohon Vila i ri.
“Jemi në luftë edhe në kampionat, aty ku besojmë se është mëse e arritshme, por synimi ynë dhe synimi i klubit është që të arrijmë të fitojmë Kupën e Shqipërisë, – ka theksuar lojtari i Teutës. – Është një trofe që t’ia bëjmë dhuratë tifozëve dhuratë për 100-vjetorin e themelimit të klubit. Në ekipin tonë kemi lojtarë si Emiljano Vila apo Renato Arapi, që në çdo ekip ku ka kanë shkuar kanë fituar tituj dhe trofe.”
“Por uroj që edhe Kallaku, edhe unë apo të gjithë djemtë e rinj të skuadrës ta ngremë një trofe për Durrësin, sepse do të jetë një ogur shumë i mirë për ne, për të ardhmen tonë”, – ka përfunduar futbollisti i Teutës, Lorenco Vila, duke folur në prag të ndeshjes së kthimit të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë me Vllazninë. Kjo ndeshje luhet të mërkurën, duke nisur nga 16:30, në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.