AlbanianSport.com 22/06/2020 23:10
ASNN – Kampionati helvet, për vetë faktin se Zvicra ka qenë një destinacion i përzgjedhur i emigracionit shqiptar në Evropë, është një nga “fabrikat” që ka prodhuar mjaft futbollistë shqiptarë, që tanimë ndahen midis Shqipërisë dhe Kosovës. Edhe në Zvicër, në fundjavën që shkoi, u rikthye futbolli ashtu si gati në pjesën më të madhe të Evropës dhe rifilloi gjithçka, por duke respektuar masat anti-“Covid-19”.
Dhe në nivelin më të lartë të kampionatit zviceran të futbollit, që njihet si Superliga, luajnë shumë shqiptarë dhe ata spikatin shpesh me paraqitjet e tyre. Edhe në ndeshjet e kësaj jave, që ishte e para pas rikthimit në fushën e blertë, dy prej tyre shkëlqyen dhe nuk mungoi dhe vlerësimi maksimal nga revista e mirënjohur helvete “Blick”, e cila bën edhe formacionin e javës.
Bëhet fjalë për Benjamin Kolollin dhe Lorik Eminin, të cilët janë përzgjedhur në formacionin më të mirë të javës në kampionat. Kololli ishte një nga më të mirët në fushë për FC Zyrihun, edhe pse kjo e fundit u mund 2-3 përballë Jang Bojs të Bernës. Sulmuesi, i cili është pjesë e përfaqësueses së Kosovës, gjeti dhe rrugën e rrjetës, por goli i tij rezultoi pa vlerë për Zyrihun.
Ndërsa Emini shkëlqeu me Lucernën në fitoren 2-1 që skuadra vendase kundër Bazelit. Falë paraqitjes së tij, lojtari me origjinë nga Kosova gjeti vend në formacionin më të mirë në Zvicër. Duhet theksuar se në këtë përballje, Emini triumfoi ndaj Bazelit të udhëhequr nga kapiteni dhe lojtari i Kombëtares kuqezi, Taulant Xhaka, të cilit shtylla horizontale i mohoi një gol në pjesën e dytë.