AlbanianSport.com 22/06/2020 21:40
ASNN – Dimitrov e Çoriç, dy tenistë të renditjes botërore, kanë rezultuar pozitiv me virusin “Covid-19”. Ata morën pjesë fundjavën e kaluar në “Adria Tour”, së bashku me Timin, Zverevin dhe Gjokoviçin. Deri tani, Timi dhe Zverevi kanë dalë negativ, ndërsa Gjokoviçi ende nuk e ka kryer testin. Kështu, Grigor Dimitrov dhe Borna Çoriç kanë rezultuar pozitiv me virusin korona. Të dy tenistët kanë marrë pjesë në turneun “Adria Tour”, të zhvilluar fundjavën e kaluar në Serbi dhe të organizuar nga Novak Gjokoviçi.
“U bëj të ditur admiruesve dhe miqve të mi që kam dalë pozitiv me “Covid-19”, pas testit të kryer në Monako”, – ka shkruar numri 19 në renditjen botërore të tenisit, Dimitrov, në profilin e tij në rrjetin social “Instagram”. “Më vjen keq për çdo dëm që mund të kem shkaktuar, – ka vijuar ai. – Unë tani jam përsëri në shtëpi dhe po shërohem”. Edhe Çoriçi është izoluar në shtëpi, por ka njoftuar se nuk ka simptoma. Ai u bën thirrje të gjithë atyre që janë takuar me të, të kryejnë tamponin.
Fundjavën e kaluar, 29-vjeçari Dimitrov mori pjesë në turneun “Adria Tour” në Beograd së bashku me Gjokoviçin, Dominik Timin dhe Aleksandër Zverevin. Tenisti bullgar luajti edhe të shtunën, në turneun e dytë në Zadar në bregdetin e Adriatikut në Kroaci. Por më pas u tërhoq nga ndeshja me Borna Coriç, duke u ankuar se nuk ndjehej mirë. Pas kësaj finalja u anulua dhe të gjithë ata që kanë qenë në kontakt me Grigorin do të testohen.
Ndërkohë që Zverev dhe Thiem kanë rezultuar negativ pas testimit. “Adria Tour” u organizua për të mbushur boshllëkun në kalendarin e tenisit, të pranishëm ishin edhe rreth 4 mijë tifozë çdo ditë, në qendrën e tenisit të Gjokoviçit, në brigjet e Danubit në Beograd javën e kaluar. Ndërkohë që Gjokoviçi ka festuar me publikun, madje ka organizuar edhe ndeshje futbolli e basketbolli. Disa lojtarë të ATP-së e kanë akuzuar ashpër tenistin serb pasi mësuan se Dimitrovi e Çoriçi rezultuan pozitiv me “Covid-19”.