AlbanianSport.com 22/06/2020 20:55
ASNN – Është një nga kampionatet elitare të futbollit në kontinentin e vjetër dhe këtë vit hyri në histori si një nga veprimtaritë që “çau bllokadën” e shkaktuar nga shpërthimi në shkallë globale i epidemisë së shkaktuar nga virusi korona, duke u kthyer i pari në fushën e blertë në mesin e majit. Dhe tanimë, teksa është drejt mbylljes së sezonit, teksa pak ditë më parë ka kurorëzuar edhe kampionen, që për të 8-tin sezon radhazi është Bajerni i Mynihut, ka ardhur edhe një tjetër lajm i mirë.
Bundesliga e Gjermanisë ka nënshkruar një marrëveshje 4-vjeçare për transmetimin e ndeshjeve, një kontratë që kap shifrën e 4,4 miliardë Euro. Sipas kësaj marrëveshjeje,
Bundesliga e Gjermanisë në futboll duhet të përfitojë rreth 4,4 miliardë Euro nga të drejtat të transmetimit të ndeshjeve në katër edicionet e ardhshme. Marrëveshja hyn në fuqi prej edicionit të ardhshëm, atij 2021-22, ka njoftuar të hënën Liga e Futbollit të Gjermanisë (DFL).
Rrjeti prestigjioz “Sky” e ka fituar të drejtën e transmetimit të ndeshjeve në orarin kryesor të së shtunës. Marrëveshjet janë bërë të ditura të hënën, ndërsa ato sjellin më pak të ardhura se marrëveshja aktuale 4-vjeçare që përfundon edicionin e ardhshëm. E vlefshme 4,6 miliardë euro, marrëveshja e vjetër më e volitshme në vlerë sesa ajo e ardhshme. “Sky” ka shumicën e të drejtave edhe në marrëveshjen aktuale. Ndërkohë, “DAZN”-ja ka fituar të drejtën e transmetimit të ndeshjeve që luhen të premten dhe të dielën.
DFL-ja ishte detyruar të shtyjë tenderin e të drejtave të transmetimit televiziv për më shumë se një muaj për shkak të epidemisë.