AlbanianSport.com 22/06/2020 18:40
ASNN – Kalendari i 2020 në Moto GP, duket se favorizon Mark Markezin, por shifrat flasin për të kundërtën. Në 8 pistat ku do të garohet, ai ka arritur vetëm 21 fitore në 7 sezonet e fundit. Në fakt, ajo që duhet të shqetësojë pilotët e tjerë, është paraqitja e qëndrueshme e Markezit, pra pikët që ai mbledh në çdo garë. Sezoni i vitit 2020 për Moto GP-në do të ketë të paktën 13 Çmime të Mëdha, por mund të bëhen edhe 17 nëse në fund do të arrihet marrëveshja me Ostinin në SHBA, Rio Honda de Termasin në Argjentinë, Buriramin në Tajlandë dhe Sëpangun në Malajzi.
Por duket se kalendari i publikuar nga kompania që zotëron të drejtat e organizimit të Moto GP-së, “Dorna Sports” mund të favorizojë dikë nga pilotët. E pikërisht kampionin e botës në fuqi, Mark Markezin. Por, sesi qëndron e vërteta, le të shikojmë faktet. Jashtë kalendarit ka mbetur Saksenringu në Gjermani, ku spanjolli nuk njeh humbje që kur është në Moto GP. Në “Red Bull Ring”, pistën austriake ku do të bëhen dy gara, ai nuk ka mundur ende të fitojë. Në 8 pistat e tjera ku do të zhvillohet kampionati, Márkezi ka arritur 21 fitore në 7 sezonet në të cilat ka garuar në Moto GP.
Në “Motorland” spanjolli ka fituar 5 herë. Kampioni në fuqi i botës vjen nga një 2019-të veçanërisht të paharrueshme. Përveç Ostinit, ku u tërhoq, ai deri në fund të kampionatit nuk arriti të zbresë asnjëherë më poshtë se vendi i dytë. Nga 475 pikët e mundshme, Márkezi arriti të grumbullojë 420, e kjo e çoi drejt fitimit të titullit, 4 gara para përfundimit të Botërorit, me një mesatare prej 22.1 pikësh për garë. Por edhe pa këto shifra, piloti i “Hondës” ka dominuar në mënyrë autoritare, edhe në dy sezonet e mëparshme, me një mesatare, prej 17.8 e 16.5 pikësh, përkatësisht në 2018-ën dhe 2019-ën.
Apriori, duket se kalendari i hartuar, mund të jetë një favorizim për Markezin, por shifrat flasin për të kundërtën. Nga të gjitha pistat ku do të zhvillohen garat këtë vit, në 3 sezonet e fundit, piloti spanjoll ka arritur 13 fitore nga 24 të mundshme. Nëse nuk mjafton kjo, atëherë shtojmë edhe mesataren e pikëve, 24.2, në 2019-ën, 19.7 në 2017-ën dhe 2018-ën. Rivalët e tij duhet të jenë të shqetësuar. Por jo për pistat ku do të garohet, por për paraqitjen e Markezit, i cili duket se nuk ndikohet shumë nga pistat ku garohet.