AlbanianSport.com 20/06/2020 17:25
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se UEFA ka përcaktuar tashmë kalendarin e ndeshjeve të Kombëtares shqiptare të Nën-21-vjeçarëve, pas situatës së krijuar nga shpërthimi i epidemisë së virurit “COVID-19”.
Shpresat kuqezi, të drejtuara nga trajneri Alban Bushi do të zhvillojnë gjithsej pesë ndeshje, ku një prej tyre do të jetë ndeshja miqësore ndaj përfaqësueses së Nën-21-vjeçarëve të Sllovenisë dhe 4 sfidat e tjera janë të vlefshme për Eliminatoret e Euro 2021.
Gjithashtu, bëjmë me dije se është ndryshuar rregullorja për këtë veprimtari dhe, sipas rregullave të reja, janë hequr “play-off”-et dhe në Evropian shkojnë 9 ekipet e renditura në vendin e parë në secilin grup, 5 vendet e dyta më të mira si edhe vendet organizatore të “EURO 2021”, Sllovenia dhe Hungaria.
Përballjet e kuqezinjve do të zhvillohen në muajt shtator, tetor dhe nëntor 2020, sipas këtij kalendari:
4 shtator 2020 Austri – Shqipëri
8 shtator 2020 Shqipëri – Andorra
8 tetor 2020 Shqipëri – Slloveni (Miqësore)
13 nëntor 2020 Kosovë – Shqipëri
17 nëntor 2020 Angli – Shqipëri