AlbanianSport.com 19/06/2020 23:10
ASNN – Skuadra e tij ka bërë të premten detyrën, duke marrë një fitore minimale, por të vlefshme në Vlorë ndaj një kundërshtari që tanimë ka rënë edhe matematikisht nga Kategoria Superiore, si Flamurtari, por trajneri i Partizanit nuk humbet kohë as të festojë, duke e hedhur vështrimin tek sfida që, sipas tij, do të përcaktojë shumëçka në këtë fund sezoni. “Duhet të fitojmë me çdo kusht ndeshjen tjetër, për të konfirmuar nëse skuadra i ka lënë problemet pas”, – ka thënë ai pas triumfit në Vlorë.
“Ndeshja ndaj Laçit është tepër e rëndësishme, ka shtuar italiani, i cili, sidoqoftë, kishte pakënaqësi për skuadrën, përtej fitores. “Po është e vërtetë në fazën sulmuese patëm probleme në finalizim, por e rëndësishme ishte fitorja, – ka këmbëngulur ai. – Diçka pozitive për mua, ishte zhbllokimi i Bardhit. Lojtar shumë i rëndësishëm që ka arritur të bëjë mirë në gjithë këto ndeshje, por i mungonte goli.” 54-vjeçari ka marrë disi më lirisht frymë pas këtyre fitoreve, por nuk e shikon si problem presionin.
“Unë jetoj me presionin brenda vetes sime për t’i fituar të gjitha ndeshjet, – ka rrëfyer ai. – Ka disa aspektet të rëndësishme në ndeshjen e sotme, siç ishte futja e Hakajt në vendin e Boldorit dhe i bëj komplimentet e mia.” Ndërkohë, sa i përket ndërhyrjes së klubit për sa i përket lojtarëve të rinj, Sormani u përgjigj: “I ndjekim me përpikëri dhe talentet, po punojmë më tepër me Feratin, Llanajn, Caran. Atyre iu duhen minuta që t’i kemi lojtarë të fituar për të ardhmen.”
E ndërkohë që flet për mosndërhyrje, trajneri italian i Partizanit ngre duart lart kur e pyesin për të ardhmen e portierit Alban Hoxha. “Për këtë pyetje nuk duhet të më pyesni mua, por duhet të flisni me klubin. Për mua Albani mbetet një nga lojtarët kryesorë të skuadrës. Unë përqendrohem për ta kthyer sa më shpejt në fushën e lojës, sepse hyn te pjesa e lojtarëve më të rëndësishëm në skuadër”, – ka përfunduar trajneri i Partizanit, Adolfo Sormani.