AlbanianSport.com 19/06/2020 22:25
ASNN – Skuadra e tij ka korrur një fitore bindëse ndaj Vllaznisë, por trajneri Emanuel Egbo nuk e ka fshehur se kontingjenti i lojtarëve që ka në dispozicion është i kufizuar, duke mbrojtur ndërkohë edhe zgjedhjet e tij në formacion në takimet e fundit. Pyetjes pas fitores 3-0 të premten ndaj Vllaznisë, se përse nuk rifreskon mesfushën me Bathën dhe Torrasën, Egbo iu përgjigj se ai si trajner e di më mirë se cilët lojtarët duhet të aktivizojë pasi i ndjek çdo javë.
“Ne e dimë ku duhet të përqendrohemi, – ka thënë ai. – Janë gjëra që i shikojmë çdo javë. Nuk duhet të bësh zëvendësime kur luan mirë. Askush nuk e di më mirë se unë. Janë shumë pak mundësi ndërrimi. Unë e di që ju do të më thoni se me Besëlidhjen kishim mundësi për lojtarë të rinj. Po të luanim jashtë fushe, mund t’i fusnim të rinjtë. Është ndeshja e parë dhe duhej të siguronim me kualifikimin.” Nigeriani i stolit bardheblu ende nuk e ka kapërcyer zhgënjimin e humbjes me Teutën.
“Ndeshja me skuadrën durrsake ishte një ndeshje që nuk duhej të humbisnim, por janë gjëra që do të ndodhin, – ka thënë Egboja. – Por qëndruam me këmbë në tokë. Vazhdoj gjithmonë për vete, nuk mendoj për rivalët. E pamë se si luajtëm ndaj Vllaznisë nga fillimi deri në fund. Jemi më të karikuar se rivalët e tjerë.” Në fakt, ka qenë një nga të papriturat më të këndshme të këtij sezoni të futbollit shqiptar, por 46-vjeçari i ka sfiduar edhe skeptikët që e nënvlerësonin si trajner.
“Nuk kam kohë t’u jap rëndësi, – ka thënë ai. – E di se çfarë jam. Më intereson klubi ku punoj dhe lojtarët që stërvis. Nuk vlen të merrem me këto gjëra. E di se çfarë rëndësie kam. Histori e mbyllur, vazhdoj punën këtu.” Madje ai nuk dëshiron të flasë as për të ardhmen e tij. “Nuk dua të flas për kontratë. Nuk fokusohem tani te kontrata. Nuk ka rëndësi për mua. E kemi folur, biseduar me Halilin, kam fokus te puna që bëj pastaj ku ta çoj në fund dhe të shohim. Kam raport shumë të qetë dhe të mirë”, – ka përfunduar trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo.