AlbanianSport.com 19/06/2020 18:40
ASNN – Luftëtari ka një tjetër përballje të vështirë të shtunën. Do të presë Teutën, që vjen tepër e karikuar pas asaj fitoreje me Tiranën. Në prag të kësaj sfide, trajneri i Luftëtarit, Neritan Novi ka pranuar përgjegjësitë për situatën në të cilën ndodhet Lufttëari. Por ai thekson edhe faktin se nga Luftëtari i fazës së parë, kanë ikur plot 10 lojtarë. Ndaj me lojtarët e rinj që ka tashmë në dispozicion, atij i duhet të ndërtojë formacione të reja në çdo ndeshje.
Megjithë situatën ku ndodhet, ndaj Teutës, trajneri Novi ka kërkuar kthesën nga lojtarët e tij dhe të respektojnë kampionatin. Luftëtari po kalon një periudhë shumë të vështirë, teksa përveç rënies një kategori më poshtë, në dy ndeshjet e fundit gjirokastritët kanë pësuar 2 humbje turpëruese, siç ishte ajo 5-0 ndaj Tiranës e 8-1 ndaj Partizanit. “Mbaj përgjegjësi edhe unë për situatën e Luftëtarit, – ka deklaruar ai. – Na bie të gjithëve përgjegjësia, por dua t’u them diçka.”
“Nga Luftëtari kanë ikur 10 lojtarë, – ka vijuar ish-futbollisti gjirokastrit. – Jam i detyruar të bëj shumë zëvendësime dhe këto ndërrime të sjellin shthurje në lojën tonë. Sidoqoftë, kemi nxjerrë edhe lojëra të bukura. Janë lojtarë të ardhur nga moshat, pa përvojë, por premtojnë për të ardhmen. Kam vite këtu, nuk kam ardhur sot, kam djersitur shumë për Luftëtarin. Nuk ma do mendja se kjo është ndeshje më e dobët dhe që mbetet në histori te Luftëtari. Megjithatë nuk dua të justifikohem.”
“Ka pasur edhe ndeshje të tjerë më të dobëta”, – ka shtuar Novi. Për rezultate e dobëta në dy ndeshjet e fundit lojtarët dhe trajneri janë dënuar me gjoba nga drejtuesit e skuadrës. “Açka, me aq sa di unë është lojtari më i paguar i ekipit dhe ia kanë plotësuar të gjitha kushtet që ka kërkuar, – ka zbuluar trajneri. – Ka 3 ditë, ose 4, që nuk ka ardhur në stërvitje. Këtë unë nuk di ta shpjegoj. Normale ka pasur edhe gjoba, nga unë i pari e deri te lojtari i fundit, për rezultatet e dobëta të dy ndeshjeve të fundit.”
“Pse nervozohen lojtarët kur zëvendësohen? Ngaqë janë lojtarë të mëdhenj dhe nuk duan të ndërrohen”, – ironizoi 49-vjeçari. Për ndeshjen ndaj Teutës, Luftëtarit do t’i mungojë kapiteni Hyseni dhe mesfushori Johan Çela, por trajneri kërkon nga ekipi të bëjë gjërat bazë. “Në ndeshjen me Teutën jo se do bëjmë gjëra të mëdha, thjesht të luajmë futboll. Pres nga çunat që të paraqiten denjësisht”, – ka përfunduar trajneri i gjirokastritëve, Neritan Novi.