AlbanianSport.com 19/06/2020 17:10
ASNN – Ka mbretëruar për mëse çerekshekulli në një nga sportet më prestigjioze, duke përfituar padrejtësisht miliona dollarë e të mira të pafundme materiale. Por tanimë po kërkon mëshirë, teksa u drejtohet burgut. Ish-presidenti i Federatës Botërore të Atletikës (IAAF), Lamin Diak, është dënuar tashmë me 5 vite burg dhe 500 mijë dollarë gjobë nga një gjykatë në Paris, me akuza tepër të rënda. Ai është akuzuar, ndër të tjera, se ka marrë ryshfet për të mbuluar testet pozitive të dopingut për atletët rusë.
Por avokati i tij mbrojtës, iu përgjërua gjykatës që ta ndryshojë vendimin. Simon Ndiaje u bëri thirrje gjyqtarëve të marrin parasysh moshën e Diakut dhe mos ta bëjnë atë shembull për të pastruar figurat e korruptuara të atletikës. Ai u tha gjyqtarëve që ta lënë Diakun e vjetër të vdesë në shtëpi, pranë të dashurve të tij, në tokën e tij të lindjes. Diaku, vazhdoi avokati, tashmë është ndëshkuar shumë rëndë, duke kujtuar se ai nuk është larguar nga Franca që në nëntor 2015, kur u arrestua.
Duke përmbledhur mbrojtjen e tij, avokati Ndiaje pranoi se veprimet e klientit të tij nuk ishin etike. “Ne duhet t’i pranojmë gjërat, – tha ai. – Por kjo nuk është kriminale.” Ndërkohë që Gjykata ka deklaruar se Federata Botërore e Atletikës, që tanimë njihet shkurt si Atletika Botërore, po kërkon 41.2 milion euro dëmshpërblim nga Diaku dhe i biri. Kjo sepse, skandali i dopingut bëri që sponsorët kryesorë të ndërpresin lidhjet me federatën botërore.