AlbanianSport.com 17/06/2020 16:25
ASNN – Si pilot, Sito Pons ka përjetuar epokën e tij të artë në vitet 1980-të, që kulmoi me fitimin e dy botërorëve në kategorinë e 250cc në 1988 e 1989. Karrierën e ka vazhduar edhe si drejtues skuadre, fillimisht në Moto GP dhe më pas në Moto 2. Nuk të habit fakti që në skuadrën e tij në Moto 2, kanë qenë Fabio Kuartararo, Aleks Rinsi, Maveriki Vinjalesi dhe Pol Espargaro, që është shpallur edhe kampion në 2013-ën.
Në një invervistë, Ponsi ka folur për marrëveshjen që ka arritur Espargaro me “Repsol Honda” për 2021. “Të gjitha lajmet që janë publikuar për këtë gjë, duket se janë të vërteta, – ka thënë ai. – Besoj se është një vendim që drejtuesit e “Hondës” dhe Pol Espargaro e kanë marrë së bashku. Nëse e ka bërë duket se beson që ky pilot është zgjedhja më e mirë për të.”
Gjithnjë sipas veteranit, çështja duket se është pak e ndërlikuar, për shkak të situatës së Aleks Markezit, që ndodhet në qendër të një manovre, që sipas të gjitha gjasave, do të largohet nga skuadra pa mundur të bëjë as debutimin e tij në Moto GP. Si menaxher ekspert, Ponsi mendon se vështirë që Honda të arrijë të marrë këtë vendim, pa e diskutuar më parë me të gjitha palët e përfshira, e sidomos me vëllezërit Marquez.
“Mendoj se e kanë diskutuar gjithçka me Markun dhe Aleksin, dhe që ka qenë një vendim i miratuar nga të gjithë, – ka thënë ai. – Sepse logjikisht, Marku është njeriu kyç i “Hondës”, e atyre nuk iu leverdis aspak që t’i kthejnë atij krahët. Besoj se nëse e kanë marrë këtë vendim, do të kenë rëndë dakord me të gjithë palët.” Gjithçka mbetet për t’u parë në ditët në vijim, për atë që do të ndodhë me pilotët, kontratat dhe ardhmërinë e tyre te “Honda”.