AlbanianSport.com 17/06/2020 14:55
ASNN – Kristian Kolman është pezulluar përkohësisht nga Agjencia e Anti-dopingut të Atletikës Botërore (AIU). Amerikani, i datëlindjes 1996, është kampion në fuqi i botës në garën e 100 m, titull që ka fituar në Botërorin e vitit të kaluar që u zhvillua në Doha. 24-vjeçari vendosi kohën 9.76 sekonda duke fituar kështu edhe medaljen e artë. Atleti nuk ka bërë një test të papritur anti-dopingu më 9 dhjetor 2019, duke deklaruar se ishte larguar nga banesa për të blerë diçka, e se ndodhej vetëm disa minuta larg shtëpisë.
Këtë ai mund ta vërtetojë nëpërmjet faturave të gjërave që kishte blerë për Krishtlindje. Kolman është ankuar, se nuk është lajmëruar të paktën as me telefon për kontrollin. “Herët e tjera më kanë telefonuar, pse këtë radhë nuk e bënë këtë gjë? – tha Kolmani. – Unë kam bërë teste gjatë kohës së karantinës dhe kam dalë negativ.” Ndërsa vetëm një ditë më vonë është lajmëruar nga komisarët e antidopingut se kanë qenë në shtëpinë e tij.
Në fakt, sprinteri ishte paralajmëruar, sepse me këtë të fundit, iu bënë 3 kontrolle anti-dopingu që nuk i ka bërë gjatë 12 muajve të fundit. Për këtë organizmi ndërkombëtar i anti-dopingut e ka pezulluar përkohësisht atletin në fjalë, nga të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare. Tanimë atleti amerikan rrezikon një dënim 2-vjeçar, gjë që do ta përjashtonte nga Olimpiada e vitit të ardhshëm në Tokio. 24-vjeçari është në pritje të një seance dëgjimore sipas rregullave anti-doping të Atletikës Botërore.