AlbanianSport.com 17/06/2020 14:10
ASNN – Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s u mblodh sot përmes një video-konference dhe mori disa vendime në lidhje me rregulloret, formatin, kalendarin dhe vendet se ku do të zhvillohen ndeshjet e klubeve dhe ekipeve kombëtare për veprimtaritë e UEFA-s. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, njëkohësisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s mori pjesë në këtë takim, ku u diskutuan shumë çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me ecurinë e veprimtarive kontinentale.
Gjatë mbledhjes Presidenti Duka shprehu kënaqësinë që më në fund futbolli evropian po rifillon pas një ndërprerje të gjatë. Ndërkohë, duke komentuar vendimet, Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, tha: “Jam i kënaqur që jemi në gjendje të rifillojmë pothuajse të gjitha veprimtaritë tona. Jam i sigurt se nuk do të duhet të vuajmë mungesën e tifozëve për një kohë të gjatë dhe ata do të lejohen në stadiume së shpejti. UEFA mori një vendim të guximshëm kur vendosi të shtyhej “EURO 2020”-ta.”
“Por duke bërë këtë, ne krijuam hapësirën e duhur që kampionatet vendase të klubeve në të gjithë kontinentin të rifillojnë, aty ku është e mundur, dhe të mbyllin sezonin, – vijoi juristi slloven. – Ndërsa loja e futbollit ka hasur vështirësi të mëdha si rezultat i pandemisë, ato goditje do të kishin qenë më të forta nëse nuk do të kishim treguar lidership që në ditët të para. Komuniteti i futbollit ka punuar së bashku dhe ka treguar unitet të jashtëzakonshëm gjatë kësaj krize të paprecedentë.”
“Falënderoj FIFA-n, konfederatat partnere, federatat, klubet, ligat, lojtarët dhe autoritetet përkatëse për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm dhe jam i bindur që do të dalim nga kjo krizë më e fortë dhe me lidhje më të ngushta se kurrë më parë”, – ka përfunduar Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin. Presidenti Duka do të jetë i impenjuar sërish nesër paradite në vazhdimin e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ku do të diskutohen vendime të tjera.