AlbanianSport.com 17/06/2020 13:25
ASNN – Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll për meshkuj ka mësuar kundërshtarët e saj në kuadër të Eliminatoreve të Evropianit të 2022-shit dhe ajo do të luajë në një grup të vështirë. Sikundër kishte njoftuar më herë Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) shorti për fazën kryesore të Eliminatoreve për “Euro 2022”-shin është hedhur të martën, më 16 qershor, në ora 17:00.
Kështu, Kosova ka rënë në grupin e tetë, që nga drejtues të FHK-së është vlerësuar i vështirë. Kosova do të përballet me Suedinë, Malin e Zi dhe Rumaninë. Suedia ishte në vazon e parë, Mali i Zi në të dytën, kurse Rumania në vazon e tretë. Kualifikimi për në fazën finale të Evropianit mundësohet me renditjen në dy vendet e para në grup, por mundësitë ekzistojnë të kualifikohesh edhe nga vendi i 3-të.
Sikundër ishte njoftuar më parë, short i hedhur ka qenë i veçantë për përfaqësuesen e Kosovës. Përfaqësueset kanë qenë ndarë në 4 vazo për short dhe janë formuar 8 grupe. Kosova ishte në vazon e 4-t, por ishte parashikuar një përjashtim për të në këtë në short. Përmes shortit, fillimisht janë shpërndarë në 8 grupe përfaqësueset e vazos së 3-të.
Më janë shpërndarë përfaqësueset e vazos së dytë, e më pas edhe ato të vazos së parë. Hapi i katërt i shortit, sikundër kishte njoftuar edhe EHF-ja, ishte caktimi i grupit të Kosovës. Kosova është vendoset në njërin grup, por jo në atë ku ishte Serbia, që ishte në vazon e dytë. Në hapin e 5-të të shortit, do të bëhet shpërndarja nëpër grupe e shtatë përfaqësueseve tjera të vazos së katërt.
Ashtu si UEFA dhe disa federata tjera, EHF-ja nuk lejon përballjet mes Kosovës dhe Serbisë. Në Eliminatoret e kaluara Kosova arriti fitore me Izraelin, kurse barazoi me Poloninë. Në fillim të këtij viti, në Eliminatoret e Botërorit, Kosova barazoi me Italinë dhe fitoi ndaj Gjeorgjisë, por humbi thellë nga Rumania. Ndeshjen e parë, Kosova do ta luajë më 4 nëntor 2020.