AlbanianSport.com 04.12.2014 17:55
ASNN – Posta e Kosovës ka emetuar një pullë postare në shenjë nderimi për njohjen e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv Sejdi Hoxha dhe zyrtarë të tjerë të Postës kanë pritur presidentin e KOK-ut, Besim Hasani, nënkryetarin Fatmir Makolli dhe anëtarin e Bordit të KOK-ut, Ramadan Selimi.
Kryeshefi i Postës ka prezantuar në këtë takim pullën e re postare dhe ka përgëzuar udhëheqësit e Komitetit Olimpik të Kosovës për suksesin e arritur në njohjen ndërkombëtare të sportit kosovar. Javën e ardhshme, në Monako, pritet njohja e plotë e Komitetit Olimpik të Kosovës nga Bordi Ekzekutiv i IOC-së. “Pranimi i KOK në IOC ka një rëndësi të jashtëzakonshme”, – thuhet në një njoftim të Postës së Kosovës.
“Më në fund, sportistët kosovarë do të jenë të barabartë me sportistët nga mbarë bota. Ata nuk do të kenë më pengesa të përfaqësojnë Republikën e Kosovës në garat kualifikuese për Lojëra Olimpike dhe të marrin pjesë në Lojërat Olimpike”, – vijon më tej njoftimi në fjalë i Postës së Kosovës për këtë ceremoni.