AlbanianSport.com 15/06/2020 21:55
ASNN – “Të fitosh në botën e automobilizmit duhet një ndërthurje e përsosur e pilotit, makinës dhe skuadrës”. Kështu ka thënë Presidenti i Federatës Botërore të Autiomobilizmit (FIA), Zhan Todt, teksa Formula 1 po përgatitet për të nisur Botërorin e 2020. Ai ka theksuar se të fitosh titullin nuk mjafton vetëm talenti i pilotit, por duhet edhe një makinë konkurruese. Përpara nisjes së Botërorit të Formula 1 për vitin 2020, kreu i organizmit që qeveris automobilizmin botëror, ka dhënë një intervistë me video-konferencë për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”.
Ai ka bërë një analizë të thellë të situatës, që për efekt të epidemisë së “COVID-19”, i është dashur të ndryshojë shumë gjëra, madje shumë shpejt. Ai bën madje edhe një parashikim për këtë botëror. “Kush ka qenë i fortë, mbetet i fortë, – thotë Todti. – Është interesante t’i shikosh pilotët në garë, pas kaq kohe të gjatë pa pilotuar një makinë.” Përsa i përket bastit të vënë nga Ferrari, për fitoren e dy pilotëve të vet të rinj, Sharl Lëklerk-Karlos Sainz, Todti u përgjigj: “Automobilizmi është një kombinim midis njeriut, makinës dhe skuadrës”.
“E vetmja formulë që mund të funksionojë këtu, është, bashkimi i këtyre të treve për të fituar, – ka vijuar ai. – Pa njërin prej këtyre elementëve nuk funksionon, dhe ne këtë e kemi parë tashmë”. E këtë, Todti e konkretizon me rastin e dy pilotëve “kampionë bote”, të cilët nuk arritën të fitojnë te “Ferrari”, teksa thotë: “Pa një makinë konkurruese nuk kanë fituar pilotë të tillë si, Alonso e Fetel. Sebastiani fitoi kur kishte një makinë konkurruese. E njëjta gjë vlente madje edhe për Shumakerin. Kur erdhi te “Ferrari” në 1996-ën, iu desh të priste deri në vitin 2000 për të fituar titullin.”
“Mund të kesh talent, por nëse nuk ke skuadër, besueshmëri, nuk ia del dot, – ka vijuar veterani i botës së automobilizmit. – Duhen bashkuar të gjitha bashkë”. Ljuis Hemiltoni mund të fitojë titullin e 7-të botëror, e kështu të arrijë rekordin e Mikael Shumakerit. “Rekordet janë bërë për t’u arritur dhe për t’u kaluar. Unë mund të them me siguri se “Mercedes”-i dhe Hemiltoni punojnë bashkë në mënyrë të shkëlqyer”, – përfundoi Presidenti i Federatës Botërore të Autiomobilizmit (FIA), Zhan Todt, intervistën e dhënë për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”.