AlbanianSport.com 14/06/2020 21:55
ASNN – Lojtari më i spikatur i të kuqve flet pas 4 golave të shënuar ndaj gjirokastritëve, beson tek Evropa. Më shumë se dobësi e kundërshtarit, fitorja e thellë e së dielës me Luftëtarin, ishte meritë e vetë Partizanit. Kështu mendon lojtari më i spikatur i të kuqve në këtë takim, Eraldo Çinari. “Unë besoj se nga gjendja psikologjike e jona që ishte e rënduar nga disa humbje rresht unë mendoj që ishte një ndeshje e vështirë”, – ka thënë ai.
“Ne e shfrytëzuam rastin më së miri. Ishte një Partizan i mirë, jo se ishte Luftëtari i keq”, – ka shtuar shkodrani, i cili ka shënuar tanimë 9 gola me Partizanin këtë sezon. Dhe këtë ai ia atribuon lojës së skuadrës. “Ndihem shumë i lumtur, – ka thënë Çinari. – Ishte hera e parë që unë shënoj 4 gola në një takim. Besoj që kjo erdhi nga e gjithë skuadra, sepse punuam fortë. Çdo ndeshje kemi punuar fortë dhe kemi luajtur mirë, pavarësisht se nuk na ka dalë goli.
“Këtë ndeshje doli dhe shpresoj që do të vazhdojmë kështu me fitore, – ka vijuar 23-vjeçari. – Objektivi kryesor është të ndihmoj ekipin të arrij sa më shumë suksese, pastaj edhe gjërat individuale nuk duhen lënë pas, dhe jam shumë i lumtur për këtë gjë. Do të thotë shumë të jesh golashënues i Partizanit.” Por, sa beson Partizani dhe Çinari tek arritja e zonës së Evropës? “Për deri sa matematika na i lejon, ne do të vazhdojmë të besojmë tek Evropa deri në ndeshjen e fundit”, – ka vijuar ai.
“Kualitetet dhe grupi janë, – ka këmbëngulur futbollisti i Partizanit, Erald Çinari. – Thjesht kemi pasur një ngërç psikologjik. Shpresoj shumë që me këtë ndeshje ta kemi kaluar dhe të kemi vazhdimësi.” Pas kësaj fitoreje të thellë, që i dhënë fund një vazhde prej 5 humbjesh radhazi dhe duke gjetur fitoren pas plot 4 muajsh. Partizani është ngjitur në kuotën e 41 pikëve dhe ndan vendin e 4-t dhe të 5-të me Teutën. Në anën tjetër, Luftëtari tanimë bie edhe matematisht nga Kategoria Superiore, 7 javë para fundit.