AlbanianSport.com 14/06/2020 18:55
ASNN – Të kuqtë rigjejnë fitoren 4 muajsh, shkodrani Çinari shënon gjysmën e golave. Partizani ka shpartalluar të dielën Luftëtarin me rezultatin 8-1, duke i dhënë fund një vazhde prej 5 humbjesh radhazi dhe duke gjetur fitoren pas plot 4 muajsh. Ndërkohë, Luftëtari tanimë bie edhe matematikisht nga Kategoria Superiore, 7 javë para fundit. Në takimin që ngriti siparin e javës së 29-t të Kategorisë Superiore, Partizani ka shpartalluar Luftëtarin me rezultatin 8-1.
Të kuqtë i kanë dhënë fund një vazhde prej 5 humbjesh radhazi dhe duke gjetur fitoren pas plot 4 muajsh. Në fakt, ka qenë një rrugë me një kalim kjo përballje dhe Partizani ka kaluar në epërsi pas 9 minutashj lojë me anë të Çinarit. 7 minuta më pas, është i njëjti lojtar që do të dyfishojë epërsinë e të kuqve. Fati i takimit do të vendoset praktikisht në favor të kryeqytetasve që në gjysmëorën e parë të tij, teksa Broja do të gjejë golin e 3-të.
Luftëtari do të përpiqet të reagojë dhe do të arrijë të shkurtojë shifrat në minutën e 37-të, me anë të Likës. Sidoqoftë, Çinari do të gjejë edhe një tjetër gol për Partizanin në minutat shtesë të pjesës së parë. Të kuqtë shkojnë kështu në pushim të ndeshjes me një epërsi 3-golëshe, ndërsa futbollisti shkodran do të gjejë edhe golin e tij të 4-t personal në këtë takim, dhe të 5-tin e Partizanit, në minutën e 69-të. Luftëtari është i dorëzuar tanimë dhe Partizani nuk ndalet.
Të kuqtë gjejnë edhe 3 gola të tjerë, fillimisht falë një autogoli të Dragoshit në minutën e 80-të. Menjëherë më pas, rrugën e rrjetës do ta gjejë edhe i sapofuturi Solomon. Në dy minutat shtesë të ndeshjes ka kohë edhe për Carën për të fituar dhe shndërruar në gol një 11-metërsh. Mbyllet kështu me shifrat 8-1 në favor të Partizanit dhe Luftëtari tanimë bie edhe zyrtarisht nga Kategoria Superiore, 7 javë para fundit. Partizani është ngjitur në kuotën e 41 pikëve dhe ndan vendin e 4-t dhe të 5-të me Teutën.