AlbanianSport.com 13/06/2020 23:55
ASNN – Përtej një sezoni me luhatje në planin personal, që natyrshëm u përkeqësua për shkak të shpërthimit të epidemisë së virusit korona, futbollisti i Kombëtares kuqezi, Elseid Hysaj, ka hedhur të shtunën në mbrëmje një hap drejt një trofeu të mundshën, teksa skuadra në të cilën ai militon, Napoli, ka siguruar vendin në finalen e Kupës së Italisë.
Skuadra e shqiptarit ka eliminuar Interin duke siguruar kështu një biletë për sfidën e madhe të së mërkurës ndaj Juventusit në Stadiumin “Olimpiko” të Romës. Napolitanët barazuan me rezultatin 1-1 në shtëpi, në sfidën e mbrëmjes, ndërkohë që patën triumfuar me rezultatin 1-0 në shtëpi në takimin e parë, të luajtur para plot 3 muajsh, duke shkuar kështu në finale.
Duhet theksuar se meritë për këtë kualifikim ka padyshim portieri Ospina, që ishte vendimtar me pritjet e tij. Ndërkohë, sa i përket paraqitjes së tij në këtë takim, ajo nuk është vlerësuar edhe aq lart nga ekspertët e futbollit italian, që kanë vënë theksin tek forma e tij fizike. Shkodrani u vlerësua me notën 5.5 nga media italiane në Internet, “Tuttomercatoweb”.
“Në pjesën e parë ndër më të dobëtit në fushë, – shkruan faqja në fjalë duke motivuar notën e saj. – Kandreva e vendos sistematikisht në telashe. Më mirë në gjysmën e dytë të lojës.” Ndërsa ka të njëjtën vlerësim në notë, faqja tjetër sportive e specializuar italiane “Calciomerkato”, shkruan “Hysaj 5.5: Titullar në mënyrë surprizë duke marrë vendin e Mario Ruit.”
“Luan në krahun e majtë dhe humbet shumë ndaj Kandrevas që është më mirë fizikisht”, – përfundon faqja në fjalë. Për sa i përket lojtarit më të mirë të ndeshjes, ai ishte padyshim portieri i Napolit, Davide Ospina. Në dritën e kësaj paraqitjeje, mbetet për t’u parë nëse trajneri i Napolit, Xhenaro Gatuzo, do të vazhdojë t’i besojë mbrojtësit kuqezi edhe për finalen e madhe të së mërkurës ndaj Juventusit.