AlbanianSport.com 13/06/2020 19:10
ASNN – Të shtunën në mbrëmje janë luajtur 5 ndeshjet e javës së 3-të të fazës së 3-të të zonës së “play-out”-it, apo thënë ndryshe, atë të mbijetesës, në të dyja grupet A dhe B të nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategorinë e Parë. Kështu, në grupin A, pas fitores 2-1 të arritur në fushën e vet ndaj Tërbunit të Pukës, Egnatia kryeson renditjen e këtij grupi, me 26 pikë.
Pasi u mund në fushën e tij nga Veleçiku i Koplikut, me rezultatin 0-2, Burreli ka zbritur në vendin e dytë, teksa matjanët ndodhen në kuotën e 24 pikëve. Në vendin e 3-të është ngjitur Veleçiku, me 20 pikë, ndërsa në të 4-tin mbetet Tërbuni i Pukës me 15 pikë dhe tanimë plotësisht i përfshirë në betejën për mbijetesë me Dinamo, që ndodhet në vend të fundit me 14 pikë.
Për efekt kalendari, blutë kryeqytetas ishin pushim këtë javës. Ndërkohë, në grupin B, Devolli kryeson zonën e “play-out”-it të këtij grupi me 28 pikë, pavarsisht humbjes 1-2 të pësuar në me Ilirinë e Fushë-Krujës. Në vendin e dytë mbetet Oriku, që është ngjitur në kuotën e 27 pikëve, pas fitore 3-2 të arritur ndaj Shënkollit në shtëpi. Ndërsa vendin e tretë e mban skuadra fushë-krujase me 24 pikë.
Një shkallë më poshtë është ngjitur Elbasani, që mundi Turbinën e Cërrikut me shifrat 3-2 dhe tanimë është ngjitur në kuotën e 19 pikëve. Cërrikasit ndodhen në vendin e 5-të me pikë të barabarta me Elbasanin. Fundin e renditjes së këtij grupi të mbijetesës e mban Shënkolli, me 18 pikë, pas humbjes së pësuar sot në Orikum përballë skuadrës vendase.
Ndërkaq, ditën e diel dhe të hënën do të zhvillohen takimet e zonës së “play-off”-it, ose thënë ndryshe zonës që synon ngjitjen në Kategorinë Superiore. Sipas formulës së këtij sezoni, skuadrat e dy vendeve të fundit zbresin automatikisht në Kategorinë e Dytë, kurse vendi i katërt në zonën e “play-out”-it luan një finale mbijetese me vendin e parë të njërit prej grupeve në Kategorinë e Dytë.