AlbanianSport.com 13/06/2020 15:25
ASNN – Rikthimi në fushën e blertë i kampionateve anembanëkontinentit të vjetër ka rikthyer në lojë edhe futbollistët e Kombëtares kuqezi, ndërsa të tjerë po bëhen gati, nëpërmjet miqësoreve. Kështu, të shtunën kanë ardhur dy fitore minimale, por mjaft të vyera në fushë të huaj për 3 titullarë kuqezi, teksa Mërgim Mavraj, Ylber Ramadani dhe Arlind Ajeti u janë gëzuar 3 pikëve me skuadrat e tyre.
Kështu, Grojther-Fyrthi siguroi fitoren e parë që pas rifillimit të futbollit në Gjermani. Skuadra e Mërgim Mavrajt triumfoi 0-1 në fushën e Nyrembergut dhe ndan vendin e 6-të të renditjes së Bundesligës 2 me Bokumin dhe Hanover 96-ën. Goli i fitores për miqtë u shënua nga David Raum, në minutën e 56-të. Mavraj u aktivizua gjatë gjithë ndeshjes dhe, së bashku me shokët e tij, ia dolën të mbajnë portën e paprekur.
Fitore jashtë fushe edhe për Vejlen e Ylber Ramadanit dhe Arlind Ajetit. Vejle fitoi 1-0 në fushën e Koldingut dhe vijon të kryesojë divizionin e dytë të futbollit danez. Rikthimi në elitë është çështje kohe, teksa vetëm Ajeti luajti gjatë ndeshjes së sotme. Mbrojtësi e nisi nga stoli dhe u aktivizua në minutën e 87-të nga trajneri i tij, ndërsa Ramadani nuk u aktivizua.
Ndërkaq, Superliga e Zvicrës rikthehet më datë 19 qershor dhe skuadrat po përgatiten për rifillimin e kampionatit. Miqësoret e ekipeve helvete kanë qenë të shumta gjatë kësaj periudhe. Kështu, Sioni përfitoi për t’u përballur me Kiasonë gjatë ditës së premte, duel që u mbyll në barazim 2-2. Një nga golat u shënua nga Ermir Lenjani, lojtari i Kombëtares shqiptare.
30-vjeçari nga Prishtina realizoi të parin, teksa tjetrin e shënoi Kristian Zoku. Kujtojmë këtu se drejtimin e Sionit e ka marrë Paolo Tramezani, ish-ndihmësi i Xhovani De Biazit te Shqipëria. 49-vjeçari italian u rikthye sërish si trajneri i Sionit 9 ditë më parë. Lenjani ka shënuar 5 gola këtë sezon dhe është gati për duelin e 20 qershorit në kampionat kundër St Galenit.