AlbanianSport.com 03/06/2020 15:05
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka uruar të gjitha klubet, futbollistët, por edhe tifozët me rastin e rifillimit të kampionatit. Në mesazhin e tij për komunitetin e futbollit, Presidenti Duka shpreson që të gjithë futbollistët të kapin sa më parë formën e tyre dhe rikthimi në fushat e blerta të jetë sa më i lehtë.
“Të dashur futbollistë, tifozë dhe miq të futbollit! Pas një periudhe të vështirë për të gjithë vendin, por edhe gjithë botën, për shkak të pandemisë Covid-19 më në fund futbolli rikthehet sot me rifillimin e kampionatit. Kjo ndërprerje e menjëhershme e jetës sportive na ka dëmtuar, edhe ekonomikisht, por sigurisht dëmi më i madh ka qenë ai sportiv. Futbollistët e të gjitha niveleve, profesionistë, amatorë, fëmijët, nuk e kanë shumë të lehtë që të kapin të njëjtën formë sportive. Ndërprerja patjetër që ka lënë shenjën e saj dhe unë uroj ta kalojmë sa më parë, edhe pse jam i ndërgjegjshëm se nuk do të jetë e lehtë”, – thotë Presidenti i FSHF-së, i cili gjen rastin t’u bëjë apel të gjitha palëve të përfshira në garë që të jenë sa më të kujdesshme në respektimin e protokolleve shëndetësore.
“Edhe një herë përfitoj nga rasti t’ju kujtoj të gjithë futbollistëve, zyrtarëve të klubeve dhe stafeve organizative, që të jenë sa më të kujdesshëm e të zbatojnë rregullat e distancimit social dhe protokollet shëndetësore në lidhje me zhvillimin e ndeshjeve në këto kushte. Protokolle me të cilat të gjithë aktorët dhe faktorët janë njohur tashmë. Unë jam i bindur, që ju dhe stafet tuaja, do të tregoheni të kujdesshëm në këtë drejtim, në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë. Ndihem i keqardhur, që ne nuk do të kemi mbështetjen e spektatorëve nëpër stadiume. Uroj që shumë shpejt masat kufizuese të lehtësohen dhe tifozët të kthehen në stadiume për të mbështetur skuadrat e tyre të zemrës. Së fundmi, uroj nga zemra që kampionati të vazhdojë të na dhurojë sërish emocione, lojë të bukur dhe Fair-play. Edhe një herë, urimet e mia më të mira për rifillimin e kampionatit! Suksese të gjithëve!”, – e mbyll mesazhin e tij Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.