AlbanianSport.com 03/06/2020 14:10
ASNN – Kanadezi Riçard MekLaren do të bëjë publik të enjten një raport mbi parregullsitë e pretenduara financiare dhe të lidhura me dopingun në Federatën Ndërkombëtare të Peshëngritjes (IWF). MekLareni nxori në dritë strukturën e dopingut të aplikuar në Rusi, për të cilin ky vend po vuan një pezullim sportiv 4-vjeçar. Kështu, IWF e porositi profesorin MekLaren të kryejë një hetim pas publikimit të një raporti në Gjermani, ku akuzohej presidenti i Federatës Ndërkombëtare, hungarezi Tomas Aján, për devijimin e fondeve, mbulimin e praktikave të dopingut dhe nepotizmit, midis anomalive të tjera.
Ajan, në krye të IWF për më shumë se 40 vjet, u detyrua më 22 janar të hiqte dorë nga presidenca, duke ia lënë vendin amerikanes Ursula Papandreas, para zbulimeve të bëra nga një televizion gjerman. Ekzekutivit të ri të IWF-së, të drejtuar nga Papandrea, iu desh vetëm një javë për të porositur MekLarenin për të kryer një hetim të pavarur, rezultatet e të cilit do të dalin të enjten. Ajan, i cili mohoi çdo parregullsi, përfundimisht e la postin e tij në 15 prill, nën shfajësimin e pensionit, kur ishte 81 vjeç. Ursula Papandrea, 50 vjeç, ish-kampione amerikane në peshëngritje, konsiderohet një nga trajneret më të mira femra në botë në këtë sport.
Ajo ka ardhur në presidencë me qëllimin për të udhëhequr këtë federatë me një drejtim të ri. IWF-ja tashmë ishte vendosur nën mbikëqyrje të veçantë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), që në qershor 2017, pas zbulimit të dhjetëra rasteve të dopingut midis peshëngritësve. Vetëm ribërja e analizave të mostrave të ruajtura nga Lojërat e Pekinit në vitin 2008 dhe “Londër 2012” zbuluan 61 raste pozitive të reja për peshëngritësit, të cilët u skualifikuan dhe humbën medaljet që kishin fituar. Në tetor të 2017-ës, IWF-ja pezulloi 9 vende për raste të përsëritura të dopingut.
Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Kina, Moldavia, Kazakistani, Rusia, Turqia dhe Ukraina nuk ishin në gjendje të garonin në kampionatet botërore të muajve pasardhës. IOC-ja më vonë pranoi se vitet e fundit Federata kishte bërë përparim të konsiderueshëm, kështu që statusi i tij si një sport olimpik nuk ishte më në rrezik. Në ngarkim të hetimit të parregullsive, zyra e Riçard MekLarenit hapi një linjë të mbrojtur për denoncuesit, nga të cilët, nga ajo që ka dalë në pah, ka marrë një informacion të rëndësishëm.