AlbanianSport.com 02/06/2020 22:25
ASNN – Drejtori Sportiv i rikthehet ofertës nga ish-skuadra me të cilën ishte tifoz që fëmijë, Milani. Nuk e ka fshehur asnjëherë se ka qenë tifoz i Milanit, por kjo nuk ka mundur t’ia errësojë arsyen dhe t’i thonte jo një ofertë nga klubi kuqezi, duke i mbetur besnik ëndrrës së ndërtuar në një tjetër klub. Drejtori i Lacios, Igli Tare ka konfirmuar se ishte në kontakt me Milanin vitin e kaluar dhe se e pati konsideruar mundësinë që të punonte te klubi legjendar i futbollit italian dhe atij evropian.
Por në fund ka mbizotëruar dashuria ndaj Lacios. Ish-sulmuesi i Kombëtares kuqezi vlerësohet si prej drejtorëve sportivë më të mirë në Itali dhe për këtë qëllim ka marrë edhe çmime të ndryshme. Vitin e shkuar ka patur raportime të shumta për ofertën që Milani i kishte bërë shqiptarit për detyrën e drejtorit sportiv. Tare duhet të zëvendësonte atë brazilianin Leonardon, i cili kaloi te Paris SG-ja.
“Kam pasur kontakt me Milanin vitin e kaluar, këtë e dinë të gjithë”, – ka pohuar drejtori shqiptar i klubit roman, duke folur për “Sky Sport Italia”. “Asnjëherë nuk kam mohuar se isha tifoz i Milanit si fëmijë, i dashuruar në ekipin e Marko van Bastenit, Ru’ud Gulitit, Frenk Rajka’ardit dhe trajnerit Arrigo Saki, – ka vijuar ai. – Por kur erdhi momenti për të bërë zgjidhjen e kisha në konsideratë që, për mua, Lacio është Lacio, dhe se ky klub ka vend të madh në zemrën time.”
“Mund të them se e ndiej Lacion gjithmonë brenda qenies time, pasi raporti me klubin shkon përtej atij profesional”, – ka përfunduar Igli Tare.