AlbanianSport.com 01/06/2020 21:40
ASNN – Osijeku i Eros Grezdës ishte afër kalimit në finalen e Kupës së Kroacisë, por përjetoi një zhgënjim të madh në fundin e ndeshjes kundër Rijekës, që përmbysi disavantazhin e dyfishtë, duke fituar 3-2 dhe është ajo që do të luajë në finalen e madhe kundër Lokomotivës së Zagrebit. Acarimi te miqtë ka qenë i madh sipas mediave kroate dhe Eros Grezda nuk është përmbajtur aspak.
Gjakovari i Osijek dhe kombëtares shqiptare, i cili luajti 62 minuta gjatë ndeshjes së mbrëmjes së kaluar, ka goditur me grusht Antonio Colak të Rijekës në fundin e ndeshjes. “Më vjen shumë keq që u gjenda në qendër të vëmendjes së mediave për atë që ka ndodhur përpara dhe gjatë ndeshjes me Rijekan”, – ka deklaruar ai për faqen zyrtare të Osijekut në Internet.
“Të gjithë ne ishim të zhgënjyer nga fakti se u dëmtuam gjatë takimit dhe na u mohua fitorja, – ka vijuar ai. – Nuk është e lehtë të durojmë padrejtësinë në fushë dhe të ruajmë qetësinë, sidomos kur dikush na fyen. Kur vjen puna te fyerjet e rënda personale dhe kombëtare, qoftë si njeri, qoftë si sportist, jam shumë i ndjeshëm. E gjitha kjo ndodhi jo vetëm gjatë ndeshjes, por dhe pas saj.”
Sipas medieve kroate, ngjarja është raportuar nga delegati i takimit, Ivan Smokrovic, dhe ka ndodhur në parkingun e stadiumit. “Unë po qëndroja përpara autobusit të skuadrës sime dhe sulmuesi rival Colak po kalonte para meje në mënyrë provokuese, – ka deklaruar Grezda. – Jam përballur me provokimet e tij gjatë gjithë ndeshjes. Jetoj për shumë vite në Kroaci dhe i përmbush detyrimet e mia si qytetar.”
“I paguaj taksat dhe nuk e meritoj që dikush të më fyejë për ndjenja kombëtare, – ka vijuar ai. – Do të marr të gjitha hapat ligjorë për të mbrojtur veten dhe nderin tim.” 25-vjeçari rrezikon shumë dhe pritet të dënohet nga Komisioni i Disiplinës. Ndërkohë, në media kanë dalë edhe pamjet e incidentit, të siguruara nga kamerat e sigurisë së parkingut të stadiumit, që mund t’i shikoni më poshtë.