AlbanianSport.com 01/06/2020 20:10
ASNN – Nuk po kanë fund anulimet dhe braktisjet e garave sportive për shkak të epidemisë së virusit korona, duke kthyer praktikisht përmbys gjithë kalendarin sportiv botëror. Kështu, për herë të parë që nga viti 1986, Japonia nuk do të organizojë një garë në një edicion të Moto GP-së.
Sipas asaj që raporton Agjencia e Lajmeve “Reuters”, autoritetet në Japoni të hënën kanë anuluar garën e parashikuar të organizohet në Motegi më 18 tetor 2020, për shkak të epidemisë së Covid-19. Kështu që garat në Moto GP do të organizohen në Evropë deri në mesin e nëntorit.
Është gara e 6-të në kalendarin e rishikuar të 2020-ës në Moto GP që është anuluar. Kreu ekzekutiv i kompanisë “Dorna Sports”, që është promotor i Moto GP-së, Karmelo Ezpeleta, ka thënë se këtë sezon do të përqendrojnë që të organizojnë sa më tepër gara në Evropë deri në mesin e nëntorit.
“Garat jashtë Evropës, nëse janë të mundura, duhet të organizohen pas mesit të nëntorit, që do të jetë tepër vonë për organizimin e garës në Japoni”, – ka thënë spanjolli Ezpeleta. Moto GP-ja po shpreson të rifillojë me gara në Spanjë në korrik. Gjermania, Holanda, Finlanda, Britania e Madhe dhe Australia kanë anuluar garat, ndërsa Franca, Italia dhe Katalonja i kanë shtyrë.