AlbanianSport.com 30/05/2020 23:10
ASNN – Përveç lojtarëve, edhe gjyqtarët e Superligës së Kosovës në futboll i janë nënshtruar sot testit për virusin korona, pak ditë para se të rikthehet futbolli i luajtur. Kanë qenë gjithsej 46 gjyqtarë të cilët u janë nënshtruar këtij testi dhe 14 delegatë të ndeshjeve. Përveç testit për virusin “Covid-19”, gjyqtarët kanë përfunduar edhe testet e fundit fizike, të cilët bëhen para çdo fillimi të kampionatit. Kryetari i gjyqtarëve të Kosovës, Përparim Hasani, u shpreh se të gjithë ata janë gati për të gjykuar ndeshjet e mbetura të Superligës së Kosovës.
Hasani gjithashtu u shpreh se edhe në Superligë do të zbatohet rregulli i ri me 5 ndërrime në ndeshjet e mbetura. “Ne po e zbatojmë atë ndërrimin që e kemi bërë, 5 ndërrime edhe ju kemi dërguar të gjitha klubeve, të gjithë gjyqtarët e dinë atë sipas rregullit të UEFA-s, 5 ndërrime duhet të bëhen me 3 ndalesa, kështu që unë besoj që do ta kuptojnë atë dhe do ta zbatojnë ashtu siç duhet”, – përfundoi Hasani. Gjyqtari i njohur kosovar, Genc Nuza u shpreh tejet i gatshëm për të gjykuar ndeshjet e mbetura në Supërligë.
Sipas tij të gjithë gjyqtarët kanë mbajtur formën dhe do të mundohen të japin më të mirën në fushë. Gjatë kohës së epidemisë, Nuza u shpreh se ka vazhduar aktivitet e tij, si çdo koleg tjetër i tij, edhe pse kanë hasur në shumë vështirësi, për shkak të mbylljeve të stadiumeve. Kujtojmë që futbolli do të rikthehet javën e ardhshme me ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Të mërkurën do të zhvillohet ndeshja ndërmjet Ballkanit dhe Feronikelit, ndërkohë që të nesërmen luhet gjysmëfinalja tjetër ndërmjet Prishtinës dhe Drenicës.