AlbanianSport.com 30/05/2020 21:40
ASNN – Presidenti i Federatës Botërore të Atletikës, Lordi Sebastian Koe, i ka ftuar fëmijët, kudo në botë, që të merren me sport, për të luftuar pasojat e lëna nga periudha e keqe që kaluan për shkak të virusit korona. “Ne duhet të punojmë me qeveritë për të rivendosur sportin në shkolla, – ka deklaruar ai. – Të gjithë e dimë që kjo është baza e gjithçkaje të mirë, që vjen më pas.”
“Veçanërisht kur do të rifillojmë jetën normale pas epidemisë, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris atletikën botërore. – Ato komunitete që janë më të shëndetshme, më të forta dhe kanë sistem më të mirë imuniteti, do të pozicionohen më mirë në të ardhmen e do ta kalojmë më lehtë këtë tronditje.” Koe shpjegoi se situata po fillon të normalizohet pas epidemisë së “Covid-19”-ës.
Madje edhe sporti po bëhet gati të fillojë. Fillimisht me futbollin, basketbollin. “Sporti po rifillon të luhet, duke shpresuar që jemi në një mjedis më të sigurt, – ka thënë ish-atleti i njohur. – Por masat e sigurisë do të vazhdojnë dhe në stadium nuk do të ketë tifozë.” Ai shpreson që shumë shpejt stadiumet të rifillojnë të mbushen. Sepse tifozët janë ndihma më e madhe për sportin dhe sportistët.
“Shpresoj që të mund të rifillojmë sa më shpejt dhe stadiumet të jenë plot me tifozë. Edhe atletika është gati të rinisë”, – ka përfunduar Presidenti i Federatës Botërore të Atletikës, Lordi Sebastian Koe.