AlbanianSport.com 29/05/2020 22:25
ASNN – Anulohen edhe dy gara të tjera në Botërorin e 2020-ës në Moto GP-së. Kështu Çmimi i Madh i Britanisë së Madhe dhe ai i Australisë, nuk do të zhvillohen. Vështirësi të mëdha logjistike dhe operative janë hasur nga organizatorët e këtyre garave. Kështi kalendari i Botërorit 2020 në Moto GP ka humbur zyrtarisht edhe dy gara të tjera. Janë anuluar Çmimi i Madh i Britanisë së Madhe dhe ai i Australisë, që duhej të zhvilloheshin përkatësisht më 30 gusht dhe 25 tetor 2020.
Janë hasur shumë vështirësi logjistike për të organizuar këto dy gara. Në Silverstoun ishte shumë e vështirë zhvillimi i dy garave, në pistën britanike, në të njëjtin muaj gusht, ndërsa përsa i përket pistës së “Filip Ajlend” ekziston ende frika për udhëtimet ndërkombëtare. “Dua të falënderoj tifozët stoikë britanikë për durimin dhe mbështetjen e tyre”, – ka deklaruar administratori i deleguar i kompleksit të garave në Silverstoun, Stjuart Pringëll.
“Tani na duhet të presim 2021-shin, që pista jonë do të presë edhe njëherë një garë të MotoGP, më të shpejtën dhe më historiken në kalendar, – ka vijuar ai. – Do të punojmë fort, që ta bëjmë këtë garë të jashtëzakonshme.” Një mesazh vjen edhe nga Karmelo Ezpeleta. “Na vjen keq të njoftojmë anulimin e këtyre dy garave ikonë të Moto GP-së”, -ka thënë drejtori i përgjithshëm i “Dorna Sports”, kompanisë që zotëron të drejtat e organizimit të këtij Botërori.
“Ato në Silverstoun dhe “Filip Ajlend” janë prej kohësh dy nga fundjavat më ekzaltuese të sezonit, – ka vijuar ai. – Të dy pistat ofrojnë garat më të konkurruese të kampionatit. Mezi presim të rikthehen në 2021 për të na dhuruar dyluftime të tjera të jashtëzakonshme.” Për momentin, Botërori i Moto GP-së nuk një datë zyrtare se kur do të fillojë. Plani i organizatorëve është të nisë në 19 korrik në Herez me Çmimin e Madh të Spanjës.
Për të vazhduar sërish një javë më vonë, në të njëjtën pistë me garën debutuese të Andaluzisë. Zhvillimi i këtyre garave ka patur mbështetjen e autoriteteve rajonale, por mbetet ende të merret edhe miratimi i qeverisë spanjolle, me të cilën bisedimet janë në vazhdim.