AlbanianSport.com 29/05/2020 21:40
ASNN – Në fakt, vendi i tij ishte nga të parët kampionate që u braktisën, për shkak të epidemisë së virusit korona, por duket se edhe specialistët po dëshmojnë se ishte vendimi i gabuar. Mjeku i Federatës Holandeze të Futbollit, dikur edhe pjesë e Ajaksit, Edvin Gëd’hart, është i bindur se mund të luhet futboll pa pasur aspak frikë për përhapjen e virusit “Covid-19”.
Në një intervistë të dhënë për “Fox Sport”, ai ka folur rreth një studimi të bërë me sfidat e kampionatit holandez. “Ne kemi analizuar 482 ndeshje të “Eredevisie”-s (nivelit më të lartë të kampionatit holandez të futbollit) për të parë sa shpesh ndodh që dy persona mund ta infektojnë njëri-tjetrin, ose të kenë kontakte të gjata, – ka thënë ai. – Për fat të mirë shifrat janë të ulëta, madje aq të vogla sa mund të mos merren në konsideratë.”
“Futbolli, si një sport me kontakte, për mendimin tim mund të ketë më pak kontakte se sa e mendonin të gjithë, – ka vijuar mjeku i njohur holandez, duke folur për rrjetin televiziv në fjalë. – Nëse përdoren masat e zakonshme, si të mos stërvitesh dhe të luash nëse je sëmurë, nëse mban distancë në dhomat e zhveshjes, atëherë është një sport i sigurt.”
Në fakt, sipas tij, rreziku më i madh gjatë ndeshjeve të futbollit vjen në momentin e ekzekutimit të goditjeve të këndit, kur lojtarët grumbullohen brenda zonës së 16-metërshit, si dhe gjatë festimit të golave të shënuar. E para është e pashmangshme, kurse festimet tanimë janë “rimodeluar”, me lojtarët që kryesisht shmangin përqafimet apo kontaktin e afërt.