AlbanianSport.com 28/05/2020 20:55
ASNN – Siç njoftohet në një njoftim për shtyp, Sektori i Gjykimit në Federatën Shqiptare të Futbollit zhvilloi ditën e martë një seminar informues me gjyqtarët e Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë, ku u fol mbi protokollin mjekësor që ka përgatitur FSHF për zhvillimin e ndeshjeve pas përhapjes së “Covid-19”. Ky takim informues vijon pas një serie takimesh që Federata e Futbollit ka organizuar me të gjithë aktorët e futbollit shqiptar, si drejtuesit e klubeve, drejtuesit e akademive, delegatë dhe së fundmi me gjyqtarët.
Te pranishëm në këtë mbledhje ishin Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Tahir Kastrati, shefi i Sektorit të Gjykimit, Sokol Jareci dhe shefi i Sektorit të Garave, Lysien Nurishmi. Shefi i Sektorit të Gjykimit, Sokol Jareci, dhe Presidenti i Gjyqtarëve, Tahir Kastrati, falënderuan gjyqtarët e pranishëm dhe kërkuan zbatimin me përpikëri të protokollit dhe të jenë në maksimumin e paraqitjes së tyre në fushën e blertë.
Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, në fjalën e tij informoi gjyqtarët mbi takimet e zhvilluara me të gjithë drejtuesit e klubeve dhe detyrat që ata kanë për zbatimin e protokollit mjekësor që është përgatitur nga FSHF dhe që është miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Shulku kërkoi nga gjyqtarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe theksoi se toleranca është zero në lidhje me zbatimin e protokollit mjekësor.
Gjyqtarët duhet të kenë një përgatitje të lartë fizike dhe ritëm të lartë në paraqitjen e tyre. Drejtuesi i garave në FSHF, Lysien Nurishmi, bëri një prezantim të detajuar të detyrave dhe përgjegjësive që lindin për delegatët në organizimin e një ndeshjeve në kohë epidemie. Zbatimi dhe kushtet e protokollit mjekësor janë të njëjta për të gjithë, nga futbolli i fëmijëve deri te Kategoria Superiore.