AlbanianSport.com 28/05/2020 20:10
ASNN – Kampionati pezullohet, por finalja e Kupës do të luhet më 1 gusht 2020. Epidemia e virusit korona ka shkaktuar pezullimin e gjithë sportit anembanë kontinentit evropian dhe përpjekjet për rikthimin e tij, sidomos të futbollit, po hasin në pengesa të mëdha, por edhe kanë krijuar situata shpesh absurde. Një situatë e tillë është krijuar në Belgjikë, atje ku, për shkak të kësaj epidemie, kampionati i futbollit, “Pro Liga”, është ndërprerë, duke shpallur Klub Bryzhin si “kampione” për këtë edicion.
E teksa një gjë e tillë është bërë për arsye sigurie, pra, për të mbrojtur shëndetin e futbollistëve dhe personaleve teknike dhe atyre administrative të klubeve, të enjten ka ardhur një lajm paksa i çuditshëm, pasi është mësuar se finalja e Kupës së Belgjikës do të luhet. Kampionia e saposhpallur e këtij sezoni, Klub Bryzhi, do të përballet me Antverpin në finale të Kupës së Belgjikës në futboll, që do të luhet më 1 gusht 2020. Finalja do të luhet në stadiumin “Mbreti Baudoin” në Bruksel, pa praninë e shikuesve.
Vendimi është bërë publik pasi të dy klubet, Pro Liga dhe Federata Belge e Futbollit janë takuar me drejtues të qytetit për të arritur marrëveshje. Policia dhe shërbimet e sigurisë kanë dhënë dritën e gjelbër për zhvillimin e ndeshjes. Finalja e Kupës duhet të luhej më 22 mars, por ishte pezulluar për shkak të gjendjes së krijuar nga virusi korona. Belgjika më pas e ndërpreu edicionin dhe Klub Bryzhi, që u shpall “kampion”, ka shansin tanimë të fitojë një trofe të vërtetë, në fushën e lojës, atë të Kupës.