AlbanianSport.com 28/05/2020 19:25
ASNN – “Një futbollist luftarak” merret shpesh si vlerësim në futboll. Por, sa luftarak duhet të një futbollist? Në fakt, ai për të cilin po flasim nuk e njeh aq shumë kompromisin kur është në fushë. Klaus Gjasula, mesfushori shqiptar i Paderbornit, po shkon drejt një rekordi, por një rekordi famëkeq, në Bundesligë, gjë që shpreh tiparin kryesor të lojës së tij, karakterin e fortë dhe luftarak.
Futbollisti i Kombëtares kuqezi mori kartonin e 15-të të verdhë të sezonit në kampionatin gjerman, në ndeshjen që skuadra e tij Paderborni e barazoi 0-0 në fushën e Augsburgut. Gjasula vendosi rekordin personal të të verdhëve në një edicion të Bundesligës, ndërsa loja e tij duket se është sipas parimit “topi kalon, por rivali jo”. “Futbollisti me helmetë” është shumë pranë rekordit absolut të Bundesliga, madje është vetëm 1 karton të verdhë larg.
Gjasula është barazuar me Stefan Efenbergun, i cili pati gjithashtu 15 të verdhë në sezonin 1998-1999. Në vend të parë mbetet polaku Tomash Hajto, me 16 të verdhë të marrë në të njëjtin sezon me ish-kapitenin e Bajernit të Mynihut. “Përshëndetje Klaus, ju u vërsulët si një raketë. Shpresoj që ta thyeni rekordin tim, që unë të kem paqe në veten time”, u shpreh për vetë Hajto për rrjetin “SKY”, ndërkohë që edhe mesfushori i kombëtares shqiptare ka folur në lidhje me faullin që i dha atij kartonin e verdhë.
Gjasula ndërhyri në këmbën e rivalit Niderlehner dhe faullin e komentoi kështu: “Unë ndërhyra me vrull dhe e godita në bazamentin e këmbës, çfarë mund të them më shumë se kaq? Kështu e ka futbolli”. Pavarsisht kësaj, mesfushori shqiptar njihet edhe si një nga lojtarët më luftarakë të kampionatit dhe si një nga 7 lojtarët që vrapojnë më shumë në Bundesligë. Po ashtu, ai është një nga kapitenët e Paderbornit, dhe madje ka arritur të shënojë dy gola për skuadrën e tij modeste.