AlbanianSport.com 28/05/2020 18:40
ASNN – Klubet votojnë njëzëri pro rinisjes, zyrtarizohen edhe dy përballjet e para. Pas Bundesligës gjermane, një tjetër kampionat i madh është në rrugë të mbarë drejt rikthimit. Klubet e Premier Ligës Angleze kanë votuar unanimisht për të rinisur më 17 qershor sezonin e ndërprerë në mesin e marsit. BBC-ja ka njoftuar se ndeshjet e para që do të luhen do të jenë Aston Vila-Shefilld Junajtid dhe Mançester Siti-Arsenal.
Premier Liga do të mund të rifillojë më 17 qershor dhe janë 92 sfida për t’u zhvilluar. Klubet britanike kanë rënë dakord mes tyre ditën e sotme dhe pritet që të zyrtarizohet gjithçka. Kishte shumë pikëpytje edhe për sa i përket orareve se kur do të zhvilloheshin takimet, por mesa duket gjithçka është vendosur sot. Projekti i rifillimit ka disa orare të pazakonta për kampionatin anglez, por që janë dukur të arsyeshme për drejtuesit.
Kështu në fundjavë, takimet që do të zhvillohen të premten do të nisin në orën 20:00. Të shtunën janë caktuar oraret 12:30, 15:00, 17:30, 20:00, ndërsa të dielën janë 12:00, 14:00, 16:30, 19:00. Dhe të hënën sfidat do të nisin në orën 20:00. Për sa u përket sfidave të mesjavës, të martën ndeshjet do të zhvillohen në 18:00 dhe 20:00. I njëjti orar vlen dhe për dy ditët e tjera, përkatësisht të mërkurën dhe të enjten.