Marrë nga Koha.net 27/05/2020 22:25
ASNN – 27 maj i vitit 1992 është një datë e rëndësishme për sportin e Kosovës. Me këtë datë ishte themeluar Komiteti Olimpik i Kosovës. Përfaqësueses të federatave sportive, kishin vendosur të mbajnë mbledhjen konstituive për themelimin e KOK-ut. Mbledhja ishte mbajtur në objektin e Rilindjes në Prishtinë, në të cilën vepronte gazeta e përditshme “Rilindja”.
“Pas vendimit për t’u ndarë institucionet sportive të Kosovës nga ish-regjimi serb, i erdhi radha konstituimit për formimin e KOK-ut në vitin 1992, – ka thënë presidenti aktual i KOK-ut, Besim Hasani, për faqen zyrtare në Internet të organizmit olimpik. – Prej muajit maj 1991 filluan aktivitetet sportive të federatave dhe pas një viti përfaqësuesit e federatave janë mbledhur në Kuvendin Themelues të mbajtur më 27 maj 1992.”
“Aty ku themeluan Komitetin Olimpik të Kosovës, si dhe zgjodhën kryesinë e re, – ka vijuar ai. – Anulimi i dhunshëm i Kushtetutës së Kosovës kushtëzoi organizimin e vetë popullit të Kosovës. Pothuajse paralel me organizimin e arsimit, edhe komuniteti i sportit mori masat dhe filloi mëvetësimin e sportit të Kosovës nga sistemi serbo-jugosllav. Nismëtar ishte Ali Latifi. Asnjë klub nuk merrte pjesë në garat që i organizonte regjimi serb në Kosovë.”
“Por ato u organizuan në federatat përkatëse, të cilat udhëhiqeshin nga kryesitë (Bordet) e federatave, të cilat u formuan nga përfaqësuesit e klubeve përkatëse”, – ka kujtuar Hasani. 28 vjet më parë, pjesëmarrësit në Kuvend, me vota të fshehta zgjodhën kryesinë prej 9 anëtarësh, ndërsa me unanimitet, detyra e kryetarit, iu besua publicistit Veton Surroi.
Bordi i parë Ekzekutiv i KOK-ut kishte këtë përbërje: Veton Surroi, President, Behlul Brestovci, Nënkryetar, Muhamet Berisha, Sekretar i Përgjithshëm, Mentaz Allajbegu, anëtar (mundje), Esat Stavileci, anëtar (basketboll), Burim Hatipi, anëtar (gazetar), Aziz Salihu, anëtar (boks), Fahri Buçinca, anëtar (hendboll) dhe Hysen Rakovica, anëtar (atletikë).
Anëtarë nderi u zgjodhën: Dr. Ibrahim Rugova, Prof. Dr. Pajazit Nushi, Ing. Nazmi Mustafa dhe Prof. Halim Hyseni, ndërsa Këshillin Mbikëqyrës e përbënin: Ismail Hyseni, Bedri Hamza dhe Adem Fejzullahu.