AlbanianSport.com 26/05/2020 22:25
ASNN – Bavarezët fitojnë me një gol të vetëm në Dortmund, tanimë 7 pikë i shkëputur në renditje. Bajernit të Mynihut i ka mjaftuar një gol i vetëm të martën në mbrëmje për të mposhtur Borusian e Dortmundit në fushën e kësaj të fundit dhe për t’u shkëputur prej saj 7 pikë në krye të renditjes së Bundesligës gjermane. Në takimin që ka gjasa të vendosë shumëçka sa u përket fateve të Bundesligës gjermane, teksa kanë mbetur vetëm 6 javë deri në përfundim të këtij sezoni, Bajernit të Mynihut i ka mjaftuar një gol i vetëm për të mposhtur Borusian e Dortmundit në fushën e kësaj të fundit dhe për t’u shkëputur prej saj 7 pikë në krye të renditjes.
Në fakt, superpërballja e luajtur në stadiumin 81,000 vendësh të Dortmundit, pjesa e parë është karakterizuar nga dy gjysma të ndryshme nga njëra-tjetra. Në gjysmën e parë, ka qenë skuadra vendase e cila ka krijuar një vëllim më të madh loje, duke qenë edhe më e rrezikshme në portën e bavarezëve. Por herë për meritë të mbrojtjes dhe portierit të Bajernit, Nojer, e herë për pasaktësi në finalizim, Borusia nuk ka arritur ta gjejë rrugën e rrjetës, madje, edhe kur e ka gjetur, goli është anuluar për pozicion jashtëloje. Gjysma e dytë e 45 minutëshit të parë ka parë Bajernin të marrë në dorë frenat e lojës dhe të mbizotërojë, si në vëllimin e krijuar, ashtu dhe në rastet për shënim.
Dhe ky mbizotërim, përtej përpjekjeje të Dortmundit për të goditur befasisht, është konkretizuar dy minuta para fundit të pjesës së parë, kur një goditje e zgjuar nga Xhoshua Kimih ka mposhtur portierin vendas dhe ka përshëndetur rrjetën. Me këtë epërsi minimale të miqve do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa 45 minutat e dyta do të jenë një kopje e atyre të para, por me kahe të kundërta. Në çerekorën e parë është Bajerni i Mynihut që do të mbizotërojë në lojë dhe do të ndërtojë disa raste për shënim, por pa arritur ta gjejë dot golin e dytë, që do të zhvendoste barazpeshën e lojës në favor të bavarezëve.
Me kalimin e minutave, është Borusia që merr frenat e lojës në dorë dhe e synon më tepër portën e miqve, por kufizohet në përpjekjet e saj kryesisht në goditje nga larg apo goditje të lira dhe ato këndore. Drejt minutave të fundit të lojës është Bajerni që rrezikon sërish, por Robert Levandovski është i pafat, pasi goditja e tij 7 minuta para fundit të kohës së rregullt rrok shtyllën e djathtë pingule të portës së vendasve, pa e gjetur dot rrugën e rrjetës. Pavarisht 4 minutave shtesë, Bajerni i Mynihut e ka fituar takimin që hapi javën e 28-të të Bundesligës gjermane, duke mundur Borusian në Dortmund me një gol të vetëm.