AlbanianSport.com 26/05/2020 20:55
ASNN – Ishte nga më të mirët për skuadrën e tij përpara ndërprerjes së kampionatit dhe premton të mos e ketë ulur ritmin e tij. Armando Sadiku shënoi gola të rëndësishëm këtë sezon për skuadrën e Malaga në nivelin e dytë të kampionatit të futbollit në Spanjë, ndërsa mezi priti rifillimin e stërvitjeve pas ndërprerjes nga virusi korona. Sulmuesi i kombëtares së Shqipërisë, i cili vuajti edhe problemet me dëmtimet, tashmë është në formë me vetëm pak ditë përgatitje me skuadrën e tij.
Vetë 28-vjeçari postoi një video nga seanca e fundit me Malaga, ku shihej duke shënuar gola radhazi. Një formë e tillë e Sadikut premton shumë për ekipin për sezonin që rifillon në 8 qershor 2020. Përveç tij, tek Malaga bën pjesë edhe mesfushori i Kombëtares kuqezi, Keidi Bare, i cili gjithashtu ka qenë tepër i rëndësishëm, gjithmonë në formacion e duke u shfaqur në formë të mirë në stërvitje.
Më 8 qershor, ekipi i dy shqiptarëve do të luajë në fushën e vet ndaj Hueskas, sipas kalendarit të divizionit të dytë. Malaga ndodhet në vendin e 15-të mes 22 ekipeve, me pozicion të përmirësuar në krahasim me disa muaj më parë, por sërish me rrezik për të rënë nga kategoria. Sadiku ka dhënë ndihmë të madhe për ekipin, duke qenë shënuesi më i mirë me 10 gola, çka e ka ngjitur atë në vendin e 9-të të renditjes së shënuesve më të mirë të kampionatit.