AlbanianSport.com 25/05/2020 23:55
ASNN – Sezoni aktual, 2019-2020 i Euroligës dhe “EuroCup”-it në basketboll nuk do të përfundohet. Krerët e ligës i kanë dhënë fund sezonit pas një takimi me aksionerët e 11 klubeve të licencuara: Realit të Madridit, Barcelonës, Baskonias, Panathinaikosit, Olimpiakosit, Fenerbahçes, Efesit, CSKA-së së Moskës, Makabit, Armani Milanos dhe Zalgiris Kaunasit.
Presidenti i Euroligës, Zhordi Bertomeu, ka propozuar anulimin dhe klubet janë pajtuar me këtë ide, pa pasur nevojë të votohet. “Pasi kemi shqyrtuar çdo mundësi, Bordi Ekzekutiv ka marrë vendim të anulojë sezonin 2019-2020 të Euroligës dhe “EuroCup”-it”, – kanë njoftuar organizatorët. Edicioni i ri i këtyre dy veprimtarive, 2020-2021, do të fillojë më 1 tetor 2020.
“Padyshim ishte një nga vendimet më të vështira që kemi marrë në historinë tonë 20-vjeçare, – ka thënë Bertomeu. – Por, për shkak të arsyeve që ishin jashtë kontrollit tonë, ne jemi detyruar të anulojmë sezonin më interesant dhe të suksesshëm në histori të basketbollit evropian.” Dy nivelet më të larta të basketbollit në Evropë janë pezulluar në mesin e marsit për shkak të virusit korona.