AlbanianSport.com 25/05/2020 22:25
ASNN – Ashtu siç ishte njoftuar, Vllaznia ka rifilluar përgatitjet, teksa stërvitja është drejtuar nga ndihmëstrajnerët Osja dhe Lekiqi. Kuqeblutë kanë nisur stërvitjen pas marrëveshjes së arritur me Kryetaren e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi. Stërvitja është drejtuar nga dy zëvendës trajnerët Ideal Lekiqi dhe Safet Osja, pasi trajneri Mirsad Jonuz, i cili ka mbërritur në Shkodër, ndodhet në karantinë.
Kapiteni Gilman Lika deklaron se është arritur akordi me kryetaren e Bashkisë dhe me rëndësi është të rikuperohet koha e humbur, ndërsa zëvendës trajneri Safet Osja thekson se dy muajt pushim kanë ndikuar negativisht. “Çunat janë me të drejtën e Zotit dhe ajo që kam thënë, është e vërtetë, – ka thënë Lika. – Shpreh mirënjohjen për mirëkuptimin që na ka dhënë kryetarja e Bashkisë.”
“Ajo na ka premtuar se do të marrim pagat e prapambetura, – ka vijuar futbollisti kuqeblu. – E rëndësishme është që kemi marrë fjalën e kryetares për të marrë pagesat e plota.” Në stërvitjen e paradites nuk kanë dalë akoma futbollistët nga Maqedonia e Veriut, portieri Efremov, Adili dhe Hristov, por dhe Renato Malota. Pasdite ka patur prapë një seancë stërvitore.
Një ritëm i tillë do të vazhdojë deri ditën e mërkurë, ndërsa dita e enjte do të jetë pushim. Problem më vete janë kontratat që përfundojnë në 31 maj, ndërsa sezoni është shtyrë. Vllaznia ndihet e penalizuar sepse thuajse nuk është stërvitur, ndërsa shumë nga ekipet e tjerë të Superiores e kanë bërë. Për më tepër, trajneri Jonuz dhe shumë lojtarë të huaj nuk janë bashkuar ende me grupin.
Problemet e Vllaznisë janë të natyrës institucionale, të paktën siç pohoi kryetarja e Këshillit Bashkiak, Brisela Kadia, përfaqësuese e PS-së. Në pritje të pagave, tek Vllaznia shpresojnë që kampionati të shtyhet të paktën me 1 javë, që lojtarët të kenë më shumë mundësi për t’u stërvitur. Ndërkohë, pritet edhe një mbledhje e Këshillit Bashkiak të Shkodrës.