AlbanianSport.com 24/05/2020 23:10
ASNN – Në fakt, akuzat dhe aludimet për padrejtësi në drejtim të gjyqtarëve të futbollit nuk janë ndonjë risi, por, kur ato vijnë nga një ish-pjesëtar i vetë komunitetit të “bilbilave”, atëherë gjithçka merr ngjyrim tjetër. Dhe është pikërisht ish-gjyqtari spanjoll, Eduardo Iturralde Gonzales, ai ka bërë një deklaratë befasuese, duke thënë se Reali i Madridit favorizohet nga 90% e kolegëve të tij që drejtojnë në La Liga.
Sipas Gonzalesit, “Los Blancos” kanë një tifozeri të madhe dhe shumë gjyqtarë “tifozë”, që janë të prirur për t’i ndihmuar 13 herë “kampionët e Evropës”. “Unë personalisht, kam qenë me fat, pasi kam lindur në Bilbao dhe të gjithë e dinin se isha tifoz i skuadrës së vendlindjes sime, – ka pohuar ish-gjyqtari, duke folur për mediat spanjolle. – Nuk më kanë dhënë të gjykoj asnjë ndeshje të Atletik Bilbaos dhe gjithçka ka qenë korrekte.”
“Ndërsa 90% e gjyqtarëve të tjerë që drejtonin apo drejtojnë në La Liga, kanë tendencën për të ndihmuar Realin e Madridit, pasi njoh shumë kolegë që janë tifozë të tyre. Po, Reali ka një favorizim më tepër se skuadrat e tjera”, – ka përfunduar ish-gjyqtari Eduardo Iturralde Gonzales.