AlbanianSport.com 24/05/2020 20:55
ASNN – Ndonëse nuk ka spikatur edhe aq, ose të paktën aq sa i vëllai me fanellën kuqezi, karrierën me klubet e ka pasur të gjatë dhe aspak të keqe. Vullnet Basha, vëllai i ish-mesfushorit të Shqipërisë, Migjen Basha, është pranë kalimit tek një nga klubet më të njohur të Greqisë. Futbollisti që luan tek Visla e Krakovës në nivelin më të lartë të Kampionatit të Polonisë, që njihet si “Ekstraklasa”, pëlqehet nga Panathinaikos i Athinës, atje ku mund të transferohet gjatë verës.
Mediat polake njoftojnë se Panathinaikos është në vështirësi financiare dhe se nuk i lejon dot vetes blerje të shtrenjta si dikur, me Zhilberto Silvën apo Dzhibril Sisenë, por lojtarë më të përballueshëm, si Basha, kartoni i të cilit mund të arrijë maksimumi në 500,000 Euro. Mesfushori 29-vjeçar, i lindur në Lozanë të Zvicrës, e mban veshur fanellën e Vislës që nga viti 2017, duke luajtur 64 ndeshje e shënuar 5 gola. Më parë, ai ka qenë tek Lozana, Gras’hopersi, Nojshatel Ksamaks dhe Sioni në Zvicër, por edhe Real Saragoza në Spanjë.
Basha cilësohet si lojtar luftarak, me cilësi teknike dhe aftësi goditjeje nga distanca. Ai ka luajtur një ndeshje të vetme me Kombëtaren shqiptare, në gusht 2013, në fitoren 2-0 ndaj Armenisë, pasi mori nënshtetësinë shqiptare. Kjo, në ndryshim nga vëllai i tij më i madh, Migjeni, që u aktivizua në 33 ndeshje për Shqipërinë, duke shënuar 3 gola e duke qenë protagonist edhe në fazën finale të Kampionatit Evropian të 2016-ës në Francë.