AlbanianSport.com 23/05/2020 22:25
ASNN – Ndonëse në Kroaci kampionati ende nuk ka rinisur, teksa është ndërprerë, si anembanë Evropës, për shkak të epidemisë së virusit “korona”, kjo nuk i ka penguar skuadrat vendase të shkrydhin muskujt nëpër ndeshje miqësore. Kështu, Lokomotiva e Zagrebit ka luajtur të shtunën pasdite një sfidë miqësore përballë Varazhdinit.
Ekipi i ku militojnë disa futbollistë shqiptarë arriti të triumfojë me rezultatin 2-1 dhe një gol kuqezi, nuk kishte si të mungonte. Madje, erdhi shumë shpejt, pasi është mesfushori shqiptar, Enis Çokaj ai që zhbllokoi shifrat, që në minutën e 4-t të kësaj përballjeje miqësore.
Futbollisti i cili ka mbrojtur dhe ngjyrat e Laçit në Superiore, e nisi titullar sfidën dhe i hapi udhë suksesit për ekipin e tij. Edhe pse Varazhdini arriti të barazojë në minutën e 55-të me anë të Obregonit, është Toliç që shënoi në minutën e fundit për skuadrën kryeqytetase, për t’i dhënë fitoren ekipit të tij 2-1.
Kampionati kroat i futbollit do të rikthehet me datë 6 qershor 2020.